Mazhoranca nxiton drejt votimit me 71 vota. Berisha e Meta flasin në emrin tonë
Mazhoranca po synon të votojë sa më shpejt për raundin e tretë për të shkuar tek raundi me 71 vota. Berisha e Meta flasin në emër të shqiptarëve kur thonë se Zaganjori ka një miratim absolut në opinion publik. Madje Meta shkon më tej kur thotë se Zaganjorin e përkrahin edhe ndërkombëtarët. Berishës i duhet një emër nga opozita në garë. Kaq i mjafton për të legjitimuar marrjen e presidentit në sytë e të huajve
Një ditë pas takimit Berisha- Rama, më optimisti duket se ka qenë ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Pasi doli nga një seancë që zgjati pak sekonda, ai shkoi në selinë e PS dhe më pas në atë të kryeministrit. Arvizu kundërshtoi mediat që folën për qëndrim të kundërt të Ramës e Berishës, duke thënë se ata po kërkojnë konsensusin. E në fakt ndërsa kërkojnë konsensusin, një tjetër raund votimi ka dështuar. Zaganjori nuk është djegur si kandidat, kurse palët po kontaktojnë… të paktën kështu thotë Berisha.
Të premten do votohet për raundin e tretë, duke mbyllur kështu shpresat për një president konsensual. Mazhoranca po nxiton ta mbyllë sa më shpejt këtë raund, duke mos pranuar propozimin e opozitës për të zgjatur edhe dy ditë shansin për negociata. Berishës i mjafton që opozita të nxjerrë një emër sa për të krijuar idenë e një gare.
Gjithçka më pas do jetë një marrëveshje mes PD dhe LSI. Kreu i kësaj të fundit është shprehur se voton për një president me 71 vota, duke vlerësuar shumë kandidaturën e Zaganjorit. Ajo që të habit është se njësoj si Berisha, edhe Meta thotë se Zaganjori është një figurë e mirëpritur nga opinioni publik. Madje Berisha flet për një pranim absolut. Duke folur në emër të shqiptarëve, Berisha tha në Vlorë se: Bazuar në këtë proces ne kemi përzgjedhur deri tani një kandidat, i cili për herë të parë ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar. Meta shkon edhe më tej kur thotë se Zaganjorin e duan edhe ndërkombëtarët. Në çdo rast unë jam i bindur që kandidatura e z. Zaganjori gëzon një konsensus më të gjerë se sa ai i mazhorancës parlamentare, pra në mënyrë të veçantë me opinionin publik apo qoftë dhe me partnerët ndërkombëtarë, tha kreu i LSI.
Se mos kanë nevojë të pyesin e të testojnë se ëmendojnë njerëzit.