E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokolli: Qeveria të miratojë amendamentin për jetën e tyre

Veç Sindikatës së Policisë, dje ka reaguar edhe organizata në ndihmë të familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës. "Shumë të tronditur mësuam nëpërmjet medias se katër punonjës të trupave speciale humbën jetën në një shkëmbim zjarri me të shumëkërkuarin Dritan Dajti në ambientet e plazhit në qytetin e Durrësit. Në cilësinë e presidentit të organizatës ‘Në ndihmë të Familjeve të Ushtarakëve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit, të rënë në krye të detyrës‘, i bëj thirrje botës së krimit: Larg duart nga policët, larg duart nga uniformat blu", shprehet në letrën e saj Mamica Dokolli, kryetare e organizatës. Më tej, ajo shprehet shumë e indinjuar për humbjen e katër jetëve - punonjës të Policisë së Shtetit, duke i shprehur revoltën, zemërimin dhe irritimin opinionit shqiptar, shoqërisë shqiptare, e cila e pa sesi u vra shteti dhe u tronditën instancat e tjera policore. "Kjo ngjarje dhe situatë tejet e rëndë le ta bëjë shtetin të mendojë më shumë për uniformat blu, të cilët sakrifikojnë jetën e tyre për ligjshmërinë dhe demokracinë. I kërkojmë qeverisë të miratojë ‘Amendamentin e Mbrojtjes së Jetës së Policëve‘ dhe dënimin maksimal të atyre që vrasin punonjës policie", përfundon Dokolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›