E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e Policisë ngushëllon familjarët

Vrasja e katër punonjësve të policisë dy ditë më parë ka sjellë edhe reagimin e Sindikatës së Policisë, e cila u është bashkuar dhimbjes së madhe të familjarëve të viktimave, e nga ana tjetër nuk ka harruar të tërheqë vëmendjen e shtetit shqiptar për këtë çështje delikate. Në një njoftim për shtyp, kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, deklaroi se me hidhërim të thellë u mësua vrasja e katër punonjësve të Policisë së Shtetit në krye të detyrës. "Ne, si drejtues të Sindikatës së Policisë së Shtetit, i drejtohemi familjarëve me një mesazh ngushëllimi për humbjen e njerëzve të tyre të dashur, të cilët sakrifikuan në përpjekje me kriminelët e pamëshirshëm, të cilët nuk hezituan t‘u marrin jetën kolegëve tanë", deklarohet në këtë letër. Më tej, vijon se në këtë ditë zie, të gjithë punonjësit e policisë solidarizohen me mbarë popullin shqiptar për t‘u përulur në respekt të thellë përpara veprës sublime të tyre, duke u angazhuar solemnisht se do të luftojmë pa mëshirë çdo lloj krimi dhe aktiviteti kriminal që tenton të prishë demokracinë e brishtë shqiptare, e cila hap pas hapi po kërkon t‘u bashkëngjitet simotrave europiane. "Me gjithë çmimin e lartë që po paguajnë, forcat e rendit, në kushte mjaft të vështira materiale e financiare, në raport me krimin dhe kriminelët, të cilët posedojnë fuqi financiare dhe armë të prodhimit të fundit, janë të detyruar të rrezikojnë edhe me jetën e tyre në zbatimin e detyrave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike", deklarohet në letrën e Sindikatës së Punonjësve të Policisë. Në përfundim, përmendet se "nderi dhe respekti për të rënët në krye të detyrës do të jetë i përjetshëm nga të gjithë ne. Shpresojmë që jeta e një punonjësi policie të mos jetë kaq e lirë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›