E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimet për pronat të ndryshojnë përmes gjykatës

Toro: Qeveria ndryshoi ligjin për pronat që të vendoste nën vartësinë e saj direkt AKKP-në dhe të ndikonte tek vendimet e pronave


TIRANË- Zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dy neneve të ligjit "Për Kthimin e Pronave", të cilat i mundësonin kreut të AKKP-së që të pezullonte vendimet e komisioneve të ngjashme të mëparshme ka qetësuar pronarët por ka hapur një sërë telashesh në dosjet e pronave dhe në gjykatë.


Një sërë procesesh kanë nisur në gjykatë bazuar tek ligji i sapo rrëzuar dhe tashmë duhet të gjendet një zgjidhje për to. Pronarët do të bëjnë dosjet nga e para ndërsa përfituesit e tokës në bazë të këtij vendimi duhet të përgatisin edhe një herë materialet.


Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, komenton këtë vendim, i cili sipas tij ka qenë më se i pritshëm në një kohë kur administratorët kishin marrë atributet e gjykatave.


Sipas tij, në vendimin e marrë për dhënien e kësaj të drejte kreut të AKKP-së qeveria e ka trashëguar nga forma se si funksiononte Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, i cili në ndryshim nga agjencia e tanishme nuk ishte nën varësinë direkt të ekzekutivit. "Mënyra se si është vepruar deri më tani ishte diçka anormale.


Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kishte të drejtën që të zhbënte vendimet e mëparshme për kthimin e tokës dhe besoj se kjo ka qenë arsyeja kryesore që e ka shtyrë qeverinë që të ndërmarrë një ndryshim të tillë në ligj.


Por këtu ka një ndryshim të madh, pasi Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ishte direkt nën varësinë e qeverisë qendrore çka shmangte ndikimet e drejtpërdrejta në vendime ndërsa Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është një organ nën varësinë direkt të qeverisë", - shpjegoi Toro.


Ai i quan më se të pranueshme iniciativat e qeverisë për të rishikuar vendimet e mëparshme të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave por kjo të bëhet vetëm nëpërmjet sistemit gjyqësor. "Qeveria mund të ndërmarrë nisma për zhbërjen e vendimeve të mëparshme të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave por asnjëherë me vendime të administratorëve por duke iu drejtuar sistemit gjyqësor", -shtoi ai.


Rishikimi i kushtetuetshmërisë së neneve 16 dhe 18 të ligjit "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave" është iniciuar nga një rast i veçantë në Vlorë, i cili fillon së zhvilluari që në fillim të viteve 1990.


Pasi ka kaluar të gjithë shkallët e gjyqësorit të Vlorës, çështja dërgohet në Gjykatën e Lartë e cila nuk pranon ta marrë në shqyrtim. Në këtë situatë, në vitin 2008 kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka rrezuar vendimin e KKKP-së (sot AKKP) së atëhershme duke e rikthyer çështjen për rishqyrtim tek zyrat Rajonale të saj në Vlorë. Pronarët kanë qenë të pakënaqur me këtë vendim duke iu rikthyer nga e para shkallëve të gjykatave në këtë qytet.


Pasi ka ardhur përsëri në Gjykatën e Lartë kjo e fundit dhe Avokati i Popullit i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar të rishikohet nëse është në përputhje me kushtetutën e drejta e kreut të AKKP-së për të zhbërë vendimet e mëparshme të këtij institucioni.


Çështjet e veçanta të shqyrtuara nga gjykatat e rretheve shpeshherë janë bërë shkak për ndryshime thelbësore në ligje madje edhe në kode për pjesë të caktuara të të cilëve Gjykata Kushtetuese ka shpallur mospërputhjen e tyre me ligjin bazë të vendit siç është Kushtetuta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›