Plagosja e 4 të rinjve, për stekat e bilardos
Arrestohen nga policia e Tiranës autorët e dyshuar të plagosjes së katër të rinjve mbrëmjen e së martës, në një lokal bastesh sportive e bilardo në zonën e Kinostudios. Të dyshuarit si autorë të ngjarjes janë Bilbil Krasniqi, 36 vjeç, dhe Gentian Luga, 27 vjeç, persona me precedentë të mëparshëm penalë, të cilët vetëm prej disa muajsh ishin liruar nga burgu. Policia tha zyrtarisht se të arrestuarit Krasniqi e Luga akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë. Gjithashtu policia sekuestroi edhe armën e krimit, një automatik tip “Kallashnikov” dhe shtatë gëzhoja që u gjetën në vendin e ngjarjes. Katër të rinjtë e plagosur, Erald Bani, 21 vjeç, Oltion Shehu, 25 vjeç, Ardit Buxheli, 18 vjeç dhe Eldi Skadrina, 25 vjeç, e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe po i nënshtrohen mjekimit në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, dy prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë, Eldi Skadrina dhe Erald Bani, por e kanë kaluar rrezikun për jetën. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një sherri në ambientet e brendshme të lokalit, që është në pronësi të babait të një prej të plagosurve, Erald Banit.
NGJARJA
Katër të plagosurit dhe dy autorët, pak minuta para se të ndodhte ngjarja e rëndë, ndodheshin në lokalin e basteve sportive, që njëkohësisht është edhe bilardo, në zonën e Kinostudios, duke parë ndeshjen mes Arsenalit dhe Milanit. Të dëmtuarit, mes të cilëve edhe Erald Bani, djali i pronarit të lokalit, ndodheshin në një tavolinë, ndërsa në tavolinën tjetër ndodheshin dy të dyshuarit. Konflikti mes tyre ka nisur disa minuta para përfundimit të ndeshjes, kur të rinjtë shkëmbenin fyerje nga tavolina në tavolinë për shkak të rezultatit. Pasi përfundoi ndeshja, lokali u boshatis dhe aty mbetën vetëm 4 të dëmtuarit dhe 2 autorët, të cilët kishin konsumuar shumë alkool. Në dy tavolina të ndryshme nisën të luajnë bilardo edhe pse fyerjet në distancë vazhdonin. Duke luajtur bilardo, përplasja e fortë e stekave ka shërbyer si shkak për t’u grindur me djalin e pronarit, Erald Bani, i cili u ka kërkuar autorëve të dalin jashtë, edhe pse deri në atë moment i kishte shmangur, pasi të dy njiheshin si persona ‘të fortë’, me precedentë penalë. “Paraprakisht dyshohet se autorët, pas konfliktit të kryer me grushte e sende të forta, janë kthyer sërish me armë zjarri automatik, duke qëlluar në drejtim të 4 të rinjve, që i kanë lënë të plagosur dhe janë larguar”, thuhet zyrtarisht nga Policia.
TE ARRESTUARIT
Policia e Tiranës tha dje se dy të arrestuarit si autorë të ngjarjes, Bilbil Krasniqi dhe Gentian Luga, janë persona të proceduar më parë për vepra të ndryshme penale. Nga vendimi i Gjykatës së Tiranës i datës 24 mars 2009, rezulton se dy të arrestuarit kishin vetëm disa muaj që ishin liruar nga burgu, pasi kishin kryer secili nga 3 vjet burgim. Sipas vendimit të gjykatës, Bilbil Krasniqi dhe Gentian Luga, më 27 shkurt 2008, në afërsi të urës së Babrrusë, kanë marrë peng me makinën e tyre shtetasin Festim Gici, i cili është gjetur nga policia dy orë pas ngjarjes. Pengu është detyruar nga dy të dyshuarit, në bashkëpunim me personin tjetër të akuzuar, Gramoz Selmani, që të hipte në makinën e këtij të fundit, me qëllim sqarimin e një problemi te Kafja e Rremës. Por autorët nuk kanë ndaluar në vendin e caktuar dhe kanë vazhduar rrugën drejt malit të Dajtit, duke e goditur pengun me pretendimin se ai i kishte marrë të vëllait të Gentian Lugës një sasi lënde narkotike dhe nuk i kishte dhënë paratë. Por, veç kësaj ngjarjeje, ata u akuzuan edhe për grabitjen e një shtetasi shqiptaro-kanadez, Eglant Muka, në dhjetor të vitit 2008. Të arrestuarit, në Linzë i kanë prerë rrugën Mukës, i cili udhëtonte bashkë me të shoqen, dhe i kanë grabitur, nën kërcënimin e armës, makinën tip “Benz ML” me targë amerikane CKA 162 Florida, 500 dollarë, 50 euro dhe 500 mijë lekë.
TE PLAGOSUR
1. Erald Bani,
21 vjeç
2. Oltion Shehu,
25 vjeç
3. Ardit Buxheli,
18 vjeç
4. Eldi Skadrina,
25 vjeç
TE ARRESTUAR
1. Bilbil Krasniqi,
36 vjeç
2. Gentian Luga,
27 vjeç
ETLEVA DELIA