E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, aksidentohet ushtaraku anglez i demontimit të armëve

TIRANE – Një shtetas anglez, me profesion ushtarak, pjesë e ekipit të demontimit të armëve në Shqipëri, shkaktoi dje një aksident duke u përplasur me katër automjete. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, kur shtetasi anglez Jhon Napolitano, 53 vjeç, që udhëtonte me makinën tip “Mitsubishi”, fuoristradë, me targë TR 7124 I, kishte marrë drejtimin për nga Ambasada Amerikane. Aty do të linte një kolegun e tij me shtetësi amerikane, pasi kishin përfunduar orarin e punës dhe po kthehej në hotel. Në një moment, shtetasi i huaj ka humbur kontrollin në drejtimin e mjetit për arsye ende të pasaktësuara mirë dhe është përplasur me një makinë luksoze tip “Mercedez Benz CLS”, më pas edhe me tri makina të tjera. Në momentin e përplasjes, ushtaraku nga Britania e Madhe ka pësuar humbje ndjenjash për rreth 20 minuta, pasi koka i është përplasur në timonin e makinës. Menjëherë kanë mbërritur forcat e policisë dhe ambulanca. Ndërsa personi tjetër që ndodhej në makinë me të, ende i paidentifikuar, pas aksidentit ka zbritur nga automjeti dhe është larguar më këmbë në drejtim të Ambasadës Amerikane. Për disa minuta në vendin e aksidentit është krijuar një situatë mjaft kaotike për shkak se drejtuesit e mjeteve që kishte përplasur shtetasi anglez kishin zbritur nga makinat dhe i kërkonin shpjegime shkaktarit, edhe pse ai vazhdonte të mos lëvizte. Për shkak se koka i ishte përplasur në timonin e makinës, buria vazhdonte të binte pa ndërprerje. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e Komisariatit Nr. 1, si dhe ata të Policisë Rrugore. Gjithashtu u lajmërua një ambulancë, pasi drejtuesi i fuoristradës, Napolitano, ende nuk jepte shenja dhe vazhdonte të ishte pa ndjenja. Fillimisht u dyshua se ai ishte në gjendje të dehur, por pasi u transportua në urgjencën e spitalit “Nënë Tereza”, ku iu nënshtrua terapisë intensive, rezultoi që vuante nga sëmundja e diabetit. Sipas mjekëve, edhe humbja e ndjenjave gjatë drejtimit të mjetit mund të ketë ardhur për shkak të uljes së nivelit të sheqerit në gjak. Për shkak të mungesës së komunikimi të qartë me personin e aksidentuar, forcat e policisë për disa minuta e patën të vështirë komunikimin e tij, por nga disa fjalë arritën të kuptonin që fliste anglisht. Më pas u bë i mundur identifikimi dhe profesioni i tij si ushtarak ekspert në ekipin e demontimit të armëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›