E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e Shkopetit e Ulzës, punëtorët: Duam aksione

Shkopeti

Punonjësit e Hidrocentralit të Ulzës e Shkopetit dhe pronarët e truallit ku janë ndërtuar këto vepra paralajmërojnë protestë në javën që vjen, madje deri në grevë urie. Taf Koleci, president i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, kundërshtoi dje privatizimin e dy hidrocentraleve mbi lumin Mat, Ulëz e Shkopet, si dhe veprave të tjera energjetike. “Qeveria po privatizon HEC-in dhe po nxjerr jashtë loje gjithë punonjësit që kanë derdhur djersë për ndërtimin e këtyre veprave të mëdha të energjetikës. Jemi dakord të bëhet privatizimi, por punonjësit të jenë aksionerë, të paktën në masën 5 për qind të vlerës së objektit. Këtë të drejtë duhet ta kenë edhe pronarët e truallit ku janë ndërtuar hidrocentralet. Të gjithë ata që punojnë aktualisht, duhet të jenë aksionerë në këto vepra”, u shpreh Koleci. Sipas tij, këto vendime nxjerrin jashtë loje gjithë punonjësit e sistemimit hidroenergjetik, sidomos ata ku ndërmarrjet do të kalojnë në privatizim. “Ne si sindikatë i kemi kërkuar Kryeministrit Berisha që punonjësit dhe pronarët e truallit të jenë aksionerë. Këto objekte janë ndërtuar me djersën dhe gjakun e punonjësve. Do të vazhdojmë protestat tona deri në marrjen parasysh të kërkesës sonë për të qenë aksionerë”, u shpreh më tej Koleci. Sipas tij, protestat do të fillojnë masivisht javën e ardhshme, madje po mendohet për organizimin e grevës së urisë. Ai paralajmëroi se do të protestohet si në Bulqizë, duke ndjekur si model lëvizjen sindikaliste të tre muajve me radhë në këtë qytet. Ndërkohë, edhe punonjës të Hidrocentralit të Ulzës e pronarë të truallit ku është ndërtuar HEC-i dhe u janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë, theksuan se duan të jenë aksionerë gjatë privatizimit të HEC-eve. “Ne duam të jemi aksionerë. I ndërtuan prindërit tanë dhe ne jemi pasardhës të tyre. Është jashtë logjike ta marrin të tjerë mundin dhe djersën tonë. Me format tona demokratike do të rezistojmë deri në fund”, tha njëri nga punonjësit e HEC-it të Ulzës.
Pronarët e truallit ku janë ndërtuar HEC-et, nënvizuan se kanë dhjetëra dynym tokë dhe duan të jenë edhe ata aksionerë. “Tokat tona janë përmbytur tri herë. Në vitin 1957 ato u përmbytën nga HEC-i i Ulzës. Në vitin 1992 i “përmbyti” politika, pasi HEC-et u kthyen në ndërmarrje ku punësoheshin militantë të partive politike. Tani, në vitin 2012, tokat tona po përmbyten për herë të tretë, pasi po privatizohen dhe ne nuk po bëhemi aksionerë të hidrocentraleve. Do të rezistojmë me të gjitha mënyrat demokratike”, u shprehën ata.

BURREL/ HASAN PASHA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›