8 marsi, Dita e Grave, koncert festiv në Pallatin e Kongreseve
Kryeministri Berisha: Nëna, arkitektja e identitetit tonë kombëtar - gratë të angazhohen për të drejtat e tyre
Sequi: Të drejtat e grave, faktor kyç për integrimin
Me rastin e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të gruas u zhvillua në Pallatin e Kongreseve një koncert festiv me temë “Gruaja shqiptare në 100 vjet Pavarësi”. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi figurën e gruas në këto 100 vjet pavarësi të vendit. “Sot është 8 marsi, është dita jonë. Kjo ditë është më e veçanta sepse në 100- vjetorin e flamurit kujtojmë me krenari ikonat e trimërisë nga Teuta dhe Arrgjiroja tek Nënë Tereza. Në këtë jubile ne jetojmë ditë më të mira, jetojmë ditë e lirisë së kombit. Në emrin tuaj dua të shpreh mirënjohjen për gruan shqiptare, për sakrificën e tyre për bukurinë e shpirtit të tyre”- u shpreh ajo. Topalli theksoi se është përgjegjësi, inkurajimi i tyre për të ardhmen, ndërsa ka shtuar se bashkë me gjysmën tjetër janë gratë ato që ndërtojnë të ardhmen. “Për ne gratë shqiptare kjo ditë e këtij viti është edhe më e veçanta, në 100 vjetorin e flamurit kujtojmë me krenari ikonat e historisë. Nderojmë ato gra që nuk ua dimë emrat, që ruajtjen gjuhën shqipe, ato që lindën Ismail Qemalin e Hasan Prishtinën. Nderim i veçantë për gratë në Kosovë, jemi krenare për trashëgiminë që na kanë përcjellë në shekuj, jetojmë ditët e lirisë së Kombit, në emër të Kuvendit mirënjohje për gruan shqiptare”- theksoi Topalli. Ajo ka përgëzuar çdo grua shqiptare për gjithçka që kanë bërë, ka falënderuar mësueset, mjeket, gratë biznesmene, akademike, në media, në art e kulturë për çdo arritje. “Mendimi më shkon te çdo grua shtëpiake që i është dedikuar familjes, admirim për ato që rrisin të vetme fëmijët e tyre se janë nëna heroina. Nëna ime më përsëriti një këshillë para se të vija këtu; të mos u thoja fjalë të bukura, por fjalë shpirti, po e ndjek me besnikëri se kam besuar se nëna ka gjithmonë të drejtë”- shtoi më tej ajo.
Kryeministri Berisha: Nëna, arkitektja e identitetit tonë kombëtar
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot 8 marsin, Ditën e Grave, në koncertin “Gruaja në 100 vjet pavarësi”, duke vlerësuar rolin e tyre në shoqërinë shqiptare. Për kryeministrin Berisha nëna është burimi i jetës si dhe arkitektja e identitetit tonë kombëtar. “Është një privilegj i madh të përulem me nderim para të gjitha atyre vajzave dhe grave me të cilat bashkëpunova dhe bashkëpunoj në punën time. Para çdo gruaje dhe vajze shqiptare, ju për çdo vend, për çdo individ, për çdo komb nëna është burimi i jetës. Për ne shqiptarët një komb ndër më të lashtit në planet nëna është arkitektja e identitetit tonë kombëtar”- u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se në këtë 100-vjetor nderimi më i madh i përket grave dhe nënave shqiptare. “Në 100 vjet përpjekje të jashtëzakonshme për liri dhe dinjitet në çdo moment në çdo rrethanë në krye të sakrificës kanë qenë gratë dhe nënat shqiptare”- tha ai. Shefi i ekzekutivit ka vlerësuar gjithashtu rolin e grave në përmbysjen e diktaturës ndërsa shtoi se ato kanë përcaktuar çdo fitore të demokracisë . “Jeni ju nëna dhe motra që u shndërruat ne faktorin kryesor të përmbysjes së diktaturës. Ju keni përcaktuar çdo fitore të demokracisë në këto 20 vite. Jeni ju vajzat dhe gratë shqiptare që sot shkëlqeni dhe përbëni emblemën e mrekullueshme të kombit shqiptar. Sot kudo ju jeni historia e të vërtetës dhe suksesit, në parlament, qeveri, administratë. Roli dhe kontributi juaj në reforma ka qenë dhe mbetet përcaktues”- deklaroi Berisha. Ndërsa ka vlerësuar figurën e ndritur të Nënë Terezës, kryeministri i bëri apel grave dhe vajzave shqiptare të frymëzohen nga forca e saj për ta bërë shoqërinë shqiptare më të begatë. “Asnjë vajzë, asnjë grua në rajon në Europë dhe në botë nuk ka burimin e frymëzimit që kanë gratë dhe vajzat shqiptare si Gonxhe Bojaxhi. Kjo grua shtatvogël por me një zemër të madhe sa mbarë njerëzimi meritoi me forcën e virtytit dhe të forcës titullin “Nënë Tereza e mbarë njerëzimit”. Le t’ju frymëzojë ju forca e jashtëzakonshme e shpirt të saj për ta bërë shoqërinë shqiptare më të drejtë, më të barabartë, më humane”.
Sequi: Të drejtat e grave, faktor kyç për integrimin
Në ditën ndërkombëtare të gruas, ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka zhvilluar një aktivitet me përfaqësuese të mediave në vendin tonë. Në fjalën e tij, ambasadori Sequi ka theksuar se çështja e lidhur me të drejtat e grave janë kyçe për Bashkimin Europian. Sipas tij shoqëria duhet të fokusohet tek çështjet që kanë të bëjnë me vështirësitë e grave. “Të jesh gazetare në Shqipëri është shumë e vështirë. Është e rëndësishme të nisim ditën me gra që kontribuojnë për vlera. Është me rëndësi që ju të bëni transformimin i cili përbën integrimin”- iu është drejtuar Sequi përfaqësueseve të mediave. Ai gjithashtu ka propozuar që në raportin e Bashkimit Europian të shtohet një kapitull për rolin e gruas në media.
...