E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e Kleves Mujës, Italia notë proteste: Donim dëshminë

Plagosja në ambjentet e burgut të sigurisë së lartë të kryekomunarit Rrethina në Shkodër Kleves Muja, nuk ka shqetësuar vetëm autoritet e drejtësisë shqiptare, por edhe ato italiane. Nëpërmjet një note proteste jo zyrtare, një përfaqësues i Zyrës së Interforcës në Shqipëri ka shprehur në Prokurorinë e Përgjithshme pakënaqësitë e tij lidhur me mënyrën e administrimit të këtij rasti, që në fakt interes për të ka vetëm drejtësia italiane dhe asnjë shtet tjetër. Në një takim të zhvilluar me zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se përfaqësuesi Zyrës së Interforcës është shprehur jo zyrtarisht se organet e drejtësisë shqiptare nuk duhet ta kishin izoluar Kleves Mujën në ambjentet e një burgu të sigurisë së lartë, pasi ai nuk kishte rezikshmëri shoqërore për futjen e tij në sektorin ku vuajnë dënime të rënda vrasës që mbajnë në kurriz mbi 20 vite burg. Kjo është vetëm njëra pjesë e kritikës, pasi pakënaqësi janë shprehur edhe ndaj mënyrës së garantimin të sigurisë nga ana e gardianëve të këtij burgu. Sipas përfaqësuesit të Zyrës së Interforcës në Shqipëri, është e pafalshme që struktura investiguese të punojnë për arrestimin e një të kërkuari nga drejtësia italine dhe në fund, i gjithë procesi të dështojë në ambjentet e burgut, duke i kërcënuar seriozisht jetën të arrestuarit. Kjo notë proteste edhe pse jo zyrtare, vjen si pasojë e seriozitetit që drejtësia Italine, ka lidhur me çdo arrestim që bëhet në Shqipëri.

GARANTIMI I SIGURISË
Përfaqësuesi i Zyrës së Interforcës në Shqipëri gjatë takimit me disa zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme është shprehur se drejtësia italiane ka interes ekstradimin e personave të arrestuar në Shqipëri, për shkakun e vetëm se ata janë pjesëmarës në krime të ndryshme në Itali. Nisur nga këto kushte, serioziteti i çdo çështje hetimore është maksimal dhe se shumë e vleshme është dëshmia e personit të arrestuar, prej nga mund të rjedhin informacione të rëndësishme që mund të shërbejnë për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në krime të ndryshme. Për këtë interes, përfaqësuesi i Zyrës së Interforcës kërkon garantimin e jetës së çdo personi të arrestuar për llogari të drejtësisë Italiane. Momentalisht kryekomunari Kleves Muja ndodhet në gjëndje kome në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Ndaj tij gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e "arrestit në burg" 40 ditor, që sipas togave të zeza është kohë e mjaftueshme për ardhjen e letërporosisë nga Italia me qëllim ekstradimin e tij. Pas kësaj mase Kleves Muja është tranportuar nga punonjësit e policisë së burgjeve në burgun e sigurisë së lartë të "Shën Kollit" në Lezhë. Pikërisht në këtë burg ai është futur në sektorin me siguri më të lartë, ku vuajnë dënimin persona të dënuar për krime të ndryshme dhe që janë dënuar më shumë se 20 vjet heqje lirie. Që ditën e parë të paraqitjes së tij në ambjentet e këtij burgu Kleves Muja është konfliktuar me të dënuarin Xheladin Kruja, ku ky i fundit e ka qëlluar me kaçavidë në kokë, duke e dëmtuar rëndë në njërin sy dhe në pjesën e trurit.

TRAFIKU I DROGËS
Gjatë vitit 2010 prokuroria e Barit ka vërtetuar se kryekomunari i Rrethina në Shkodër Kleves Muja është marrë me aktivitet kriminal duke trafikuar në zona të ndryshme sasi të konsiderueshme kokaine. Sipas hetimeve rezulton se Muja ka qënë pjesë e një grupi kriminal Serbo-Malazez, ku pjesa më e madhe e anëtarëve janë arrestuar gjatë operacionit të koduar "Shah Mat". Prangave të karabinierëve u ka shpëtuar Kleves Muja duke gjetur strehim në Shqipëri, ku në rafshin kohor të dy vjetëve ai ka mundur të zgjedhet kryetar i komunës Rrethina si përfaqësues i Partisë Socialiste. Një javë më parë Muja u arrestua në qytetin e Shkodrës, pas mbëritjes në prokurorinë e përgjithshme të urdhërit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga gjykata e Barit.

(aq/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›