E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Gjykatat nuk e luftojnë korrupsionin

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në një intervistë për Zërin e Amerikës  ka komentuar sërish hetimet lidhur me demonstratën e 21 janarit. Ajo është shprehur e kënaqur nga hetimet për aq sa është arritur, duke theksuar se, edhe në vende me demokraci të zhvilluar është e vështirë të zbardhet vrasja, sidomos kur qëllohet në turmë. Ina Rama i konsideroi hetimet e 21 janarit si në kushte shumë të vështira. Ne kemi dërguar në gjykatë dosje për vrasjen e 3 viktimave, ndërsa për 1 nga viktimat, kemi pezulluar çështjen sepse nuk e kemi zbardhur dot. Hetimi për organizatorët është në fazën e mbledhjes së provave, pasi deputetët janë pa imunitet. Theksoj se ky hetim do jetë brenda afatit të përgjithshëm hetimor që arsyetohet për një çështje, tha prokurorja.

Korrupsioni

Ndër të tjera, Ina Rama, tha se, ka pasur raste të korrupsionit edhe në Prokurori. Kryeprokurorja deklaroi se, ka pasur tentativa për të fokusuar luftën kundër korrupsionit, ndonëse ka akuza për korrupsion në nivele të larta dhe të ulëta zyrtarësh. Kryeprokurorja Rama tha se, gjykatat  në disa raste e kanë toleruar korrupsionin. Shefja e Prokurorisë së Përgjithshme tregoi edhe dy raste prokurorësh të denoncuar për korrupsion, për të cilët ajo kishte kërkuar masën arrest me burg, por gjykatat nuk e kanë mbështetur atë. Kryeprokurorja tha se, nuk e quante dështim të Prokurorisë faktin se, tre zyrtarë të lartë, të cilët janë dërguar për gjykim, nuk janë dënuar. Kjo është konsideruar nga ne si një qasje e ndryshme e sistemit gjyqësor ndaj fenomenit të korrupsionit, tha Ina Rama.

Mungon mbështetja

Ina Rama është pyetur, se nëse në Prokurori ka të korruptuar, ajo e ka konfirmuar këtë fakt. Por, zonja Rama theksoi se institucioni i drejtuar prej saj ka tentuar ta luftojë vetë këtë fenomen. Kemi ngritur dy akuza për korrupsion ndaj prokurorëve. Kam kërkuar masën arrest me burg. Në të dyja rastet gjykatat nuk na kanë mbështetur, sqaroi kryeprokurorja. Mënyra se si funksionon sot sistemi gjyqësor na ka ulur agresivitetin në luftën ndaj krimit, pohoi Ina Rama. Na mungon mbështetja e plotë nga të gjitha institucionet, përsa kohë që bashkëpunimi nuk është ashtu siç duhet, përsa kohë që jo të gjitha institucionet kanë të njëjtën qasje, tha kryeprokurorja, kjo do të influencojë në punë e prokurorëve shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›