Ina Rama: Gjykatat minuan hetimet kundër korrupsionit

Kryeprokurorja e pergjithshme, Ina Rama
Pafajësia e ministrave? Për ne, e gabuar
Kryeprokurorja: Liruan edhe dy prokurorë që i arrestuam për mitmarrje.
Prokurorja e Përgj-ithshme, Ina Rama, e cila ndodhet për një vizitë në SHBA, fajësoi dje gjykatat për dështimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ina Rama u shpreh se Prokuroria ka qenë mjaftueshëm agresive në këtë drejtim.
Zonja Rama, Shqipëria është kritikuar vazhdimisht për nivele të larta korrupsioni dhe për masa të pamjaftueshme për ta luftuar atë, madje ka vlerësime se në vend po futet klima e pandëshkueshmërisë. Çfarë vendi zë krimi i korrupsionit në ngarkesën e punës së Prokurorisë?
Është e vërtetë, janë bërë vlerësime nga organizma ndërkombëtare për korrupsionin, siç thatë ju, por edhe ne vetë jemi koshientë për situatën në të cilën ndodhemi dhe për nivelin e korrupsionit që është prezent në vendin tonë. Vazhdimisht e kemi konsideruar si prioritet të punës sonë, e kemi shpallur si të tillë dhe mendoj që kemi hedhur dhe hapat e nevojshëm e të duhur për ta luftuar atë. Ky fenomen zë një pjesë të konsiderueshme jo në sasi, por në prioritet dhe në fokusimin e vëmendjes, fuqive dhe të resurseve më të mira që ne kemi në drejtim të luftës kundër korrupsionit. Në funksion të kësaj lufte ne kemi ndërtuar në të gjithë Prokurorinë shqiptare shtatë njësi të përbashkëta hetimore bashkë me institucione të tjera: Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave dhe Shërbimin Informativ, me qëllim që të luftojmë korrupsionin dhe krimin financiar. Këto, në një farë mënyre kanë dhënë produktin e tyre pozitiv. Them në një farë mënyre, sepse gjithmonë ka vend për përmirësim dhe për të shkuar më tej.
Në kushtet kur zërat dhe vlerësimet që thonë se korrupsioni në Shqipëri është i lartë janë të shumta dhe ndërkohë që kjo tashmë është diçka që pranohet nga të gjithë, mendja të shkon se rastet e korrupsionit duhet të ishin më të shpeshta nëpër gjykata dhe se do të duhej të kishte një lloj lufte më frontale dhe më të gjerë. Prokuroria është institucioni kryesor që ngre këto akuza. Përse Prokuroria nuk është treguar më agresive në luftën kundër korrupsionit?
Unë mendoj që Prokuroria është treguar mjaftueshëm agresive, në konceptin dhe vizionin tonë. E them këtë pasi ne kemi tentuar të fokusojmë vëmendjen tonë në luftën kundër korrupsionit edhe në nivele të zyrtarëve të lartë dhe kjo ka qenë pikërisht qasja jonë ndaj kësaj lufte. Kemi guxuar dhe kemi ngritur akuza ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, gjë e cila më parë nuk ka ndodhur në Shqipëri, duke dashur njëkohësisht të japim dhe mesazhin që ky është një fenomen që nuk do të tolerohet nga Prokuroria shqiptare. Akuza për korrupsion janë ngritur dhe në nivele të ulëta zyrtarësh. Doja të thosha që asnjë institucion nuk mund të jetë agresiv plotësisht, ose të ezaurojë të gjitha mundësitë e veta ligjore, sado i fortë që të jetë ai përfshi Prokurorinë që ka të drejtë të ngrejë akuzë për sa kohë që mungon mbështetja e plotë nga të gjithë partnerët, ose për sa kohë që bashkëpunimi ndoshta nuk është në atë nivel që duhet, ose në një kohë kur jo të gjitha institucionet kanë të njëjtën qasje ndaj kësaj lufte.
Çfarë do të thotë të gjitha institucionet nuk kanë të njëjtën qasje? Ka institucione që e tolerojnë korrupsionin?
Kjo ishte ajo që doja të shpjegoja. Personalisht, nuk më pëlqen të bëj rolin e kreut që i hedh fajin institucioneve të tjera, por mund tju them që mënyra se si po funksionon sot sistemi gjyqësor, për shembull, është një nga problematikat që na ka ulur ne agresivitetin në luftën kundër korrupsionit, të paktën ose në dukjen e tij, ose dhe në rezultatet që ne kemi dashur të vjelim nga kjo luftë. Ne kemi ngritur akuza në ato raste që kemi mundur sepse jo gjithmonë kjo është diçka e mundur dhe korrupsioni është një vepër e vështirë për tu provuar dhe nuk kemi arritur të marrim një produkt final me një vendim ndëshkimi. Kjo është një situatë reale, në të vërtetë.
Ju përmendët rastin e zyrtarëve të lartë në Shqipëri që janë akuzuar për korrupsion. Këtu në SHBA suksesi i Prokurorisë matet me masën dënuese të gjykatës ndaj personave. Në Shqipëri janë të paktën tri raste zyrtarësh të lartë që janë akuzuar për korrupsion, por që nuk janë dënuar nga gjykata për arsye të ndryshme: janë djegur afatet e hetimeve ose gjykata i ka shpallur të pafajshëm. A tregon kjo në një farë mënyre dështim të punës së Prokurorisë? Si i analizoni ju këto raste?
Në fakt, janë tri çështje zyrtarësh të lartë, për të qenë korrekt, dy për zyrtarë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe një zyrtar për korrupsion. Të tria rastet përfunduan me një vendim gjykate jo në favor të akuzave që ne kemi ngritur. Në gjykimin tonë, kanë qenë vendimmarrje të gabuara, të tria. Ajo që më duhet tju them është se ne jemi një palë e procesit, veprojmë atje në emër të shtetit, dhe nuk kemi mundësi të tjera ankimi për ta çuar më tej procesin. Nuk mund të them që është konsideruar dhe perceptuar nga ne si dështim i punës sonë. Është konsideruar dhe konceptuar nga ne si një qasje e ndryshme e sistemit gjyqësor ndaj fenomenit.
Kur flitet për korrupsionin në Shqipëri, një nga sistemet, emri i të cilit përmendet më shpesh në kritika është vetë sistemi i Drejtësisë. Brenda tij është edhe Prokuroria. Ka akuza që edhe Prokuroria vetë ka korrupsion brenda saj, duke lënë të tejkalohen afatet e proceseve hetimore dhe kështu shuhen rastet, ose duke mos ngritur akuza. A jeni ju dakord me këto vlerësime dhe a keni ju mekanizëm të brendshëm për ti shqyrtuar këto raste?
Në qoftë se unë do të thosha që në Prokurori nuk ka korrupsion, do të thosha një gjë të pavërtetë. Prokurorët shqiptarë janë shtetas shqiptarë dhe përderisa themi që korrupsioni është një fenomen që i përket sot shoqërisë shqiptare dhe zyrtarëve shqiptarë, patjetër që është prezent edhe në sistemin e prokurorisë. Mekanizmi që ne kemi është ndjekja penale, përveç procedurave disiplinore, por të cilat janë procedura që nuk lidhen me rastet e korrupsionit, sepse kur kemi korrupsion kemi një aktivitet kriminal dhe duhet të kemi një proces penal e jo një proces disiplinor. Gjatë kohës që unë kam qenë prokurore e Përgjithshme, ne kemi ngritur dy akuza për korrupsion ndaj prok-urorëve. Dhe në të dyja rastet, me autoritetin e prokurores së Përgjithshme, unë kam kërkuar që për të dy prokurorët të vendoset masa e sigurimit arrest me burg, për të dhënë mesazhin që ky është një fenomen që nuk mund të tolerohet në sistem. Në të dyja rastet, gjykatat nuk na kanë mbështetur. E përsëris që nuk dua të bëj rolin e kreut që do të shpërndajë përgjegjësinë, por ky është një fakt. Vendimmarrja për njërin nga prokurorët, për të cilin përfundimisht u mbyll procesi, ishte me deklarimin i pafajshëm. Ndërkohë që në vizionin tonë ishte absolutisht një rast fajësie i pastër.
Le të ndalemi te një prej çështjeve më kryesore dhe më të bujshme në Shqipëri, pra te hetimet për ngjarjen e 21 janarit. Këto besoj kanë qenë nga hetimet më delikate që organi juaj ka bërë të paktën gjatë këtyre 10 viteve të fundit. Çështja ka kaluar tashmë në Gjykatë. A mendoni se Prokuroria i ka pasur të gjitha mundësitë për ti bërë hetimet të plota për 21 janarin?
Hetimet për 21 janarin kanë qenë hetime të vështira. Ajo ka qenë një çështje shumë komplekse, siç thatë ju. Ndoshta jo më kompleksja e atyre që ne kemi hetuar, sepse edhe rasti i tragjedisë së Gërdecit ka qenë një çështje e vështirë dhe me impakt shumë të madh në publik. Por, edhe hetim