Panik nga bruceloza, 17 të shtruar në Berat
Berat- Sëmundja e brucelozës është bërë shqetësuese në rrethin e Beratit. Ditët e fundit, sipas mjekëve të spitalit rajonal, numri i presonave të prekur ka mbërritur në 17 vetë. Të gjithë personat, të moshave të ndryshme janë tashmë nën kujdesin e mjekëve dhe ndodhen të shtruar në dhomat e infektivit të këtij spitali. Sipas mjekut infeksionist të repartit, Petraq Ceca bëhet e ditur se situata mund të quhet alarmante.
Pacientët më të fundit të mbërrituur në spital, të infektuar nga bruceloza, sipas Cecës janë Ramadan Çela dhe vajza e tij, 16-vjeçare. Të dy me simptomat e qarta të brucelozës, transmetuar nga bagëtitë e infektuara. “Një ditë më parë në këtë repart u shtruan dy persona të tjerë, të dy barinj”- tha infeksionisti Ceca. Sipas tij, shenjat e kësaj sëmundjeje janë lehtësisht të dallueshme. Nëse keni temperaturë të lartë, këputje të përgjithshme trupore, çrregullime në ekuilibër dhe djersisni në mënyrë të vazhdueshme dhe me erë të rëndë atëherë duhet të shqetësoheni për mundësinë e infektimit nga bruceloza. “Sëmundja është e kurueshme, por edhe tepër e rrezikshme. Nëse ajo nuk kapet në kohë dhe i sëmuri nuk trajtohet me medikamentet e nevoshme, sëmundja shkakton edhe vdekjen”- thotë mjeku.
Pas të dhenave shqetësues të mjekëve ka reaguar në mënyrë urgjente Drejtoria e Bujqësisë në këtë rreth. Në një komunikim me mediat, titullarët pohuan praninë e sëmundjes në bagëtitë, kryesisht dhentë dhe dhitë. Mësohet se bagëtitë e komunave, Poto, Gjerbës, Cepan e Leshnje janë të prekura nga sëmundja e brucelozës. “Për të shpëtuar bagëtitë nga sëmundja dhe për pasojë njerëzit nga përhapja e saj na nevojiten 42 mijë vaksina kundër bruzelozës”- kanë thënë dje titullarët e drejtorisë së Bujqësisë, duke bërë me faj ministrinë e linjës për mospërgjigje në kohë të kërkesës për vaksina. Sipas tyre, ata kanë kërkuar sasinë e sipërpërmendur, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë u është përgjigjur vetëm me 6 mijë vaksina. Vitin e shkuar në këtë rreth janë numruar 56 vetë të prekur nga bruceloza dhe qindra krerë bagëti.