Planet e Bayernit

Pas sezonit të dytë të njëpasnjëshëm pa fituar titull, Bayern Munich pritet të shpenzojë për të përforcuar ekipin gjatë verës. Gjiganti bavarez tashmë ka sjell disa futbollistë të rinj por aktivitetet e tyre në treg janë larg nga përfundimi.
Në fazën vendimtare të sezonit të kaluar, mungesa e fuqisë së grupit i kushtoi atyre shtrenjtë. Bankina rrallëherë i ndihmoi skuadrës në rikthimin e rezultatit dhe futbollistët si Takashi Usami dhe Nils Petersen u inkuadruan shumë pak.
Kryesia e klubit e kuptoi muaj më parë se nevojiten përforcime dhe ato i sollën menjëherë me blerjen e yllit kosovar Xherdan Shaqiri, Dante, Tom Starke dhe së fundmi rikthimin e veteranit, Claudio Pizarro. Shaqiri ishte përforcimi i parë i bërë nga Bayerni për afatin kalimtar të verës.
Reprezentuesi zviceran pritet të luajë rolin e zëvendësuesit për dy yjet e krahut, Arjen Robben dhe Franck Ribery, detyrë e cila gjatë sezonit të fundit i ka takuar Thomas Mullerit. Në mbrojtje, Dante do të garojë me Jerome Boatengun dhe Holger Badstuberin për një vend në formacionin bazë.
Daniel van Buyten ka hyrë në fazën përfundimtare të karrierës dhe pritet të aktivizohet herë pas here, kurse Breno thuhet se do të largohet nga Bayerni, në drejtim të Lazios.
Ardhja e Dantes nënkupton se në rast të një lëndimi ose suspendimi të një titullari, trajneri Jupp Heynckes do të ketë një qendërmbrojtës natyral në bankën rezervë. Deri tani, mesfushorët Anatoliy Tymoschcuk dhe Luiz Gustavo janë detyruar të luajnë në mbrojtje, sipas nevojës. Pas pensionimit të Hans Jorg Buttit, Bayerni kërkoi një portier të ri dhe e gjeti atë, Tom Starke.
Ish anëtari i Hoffenheimit do të shërbejë si zëvendësim për Manuel Neuerin. Kurse, sa i përket sulmit, Bayerni vendosi të rikthejë në skuadër Claudio Pizarron në vend të Ivoca Olicit i cili kaloi në Wolfsburg. Por, me kërkesën e Petersenit për tu larguar nga klubi, Bayernit i duhet edhe një sulmues. Nga emrat më të përfolur mbetet ai i Edin Dzekos. Boshnjaku nuk zë vend në formacionin bazë të Manchester Cityt dhe pritet të largohet gjatë kësaj vere.
Por, si përforcime të tjera – edhe pse në repartet tjera – përmendet mesfushori i Athletic Bilbaos, Javi Martinez. Kurse për krahun e majtë të mbrojtjes spekulohet se mund të vjen Jeremy Mathieu nga Valencia.
Euro 2012 fillon të premten dhe drejtuesit e Bayernit sigurisht se do ta shikojnë në rast ase u bie në sy ndonjë futbollist i cili mund të jetë i nevojshëm. Gjiganti bavarez është i uritur për tituj, dhe dëshiron të fitojë sa më parë. Sezoni i ardhshëm do të jetë i domosdoshëm për të pasuruara kabinetin e trofeve.