Xhani: Ka 3 vjet që nuk jap intervista, kur të flas do ta shkund
Albert Xhani kërkon të sqarojë se prej kohësh nuk jep intervista për shtypin sportive. Ai pohon se një ditë do të flasë dhe do ta shkundë futbollin shqiptar
Që nga momenti që Ministria e Mbrojtjes bëri padi ndaj shoqërisë aksionare të administruar nga Albert Xhani, ku kërkon kthimin e logos, është rritur interesi mediatik për të kuqtë. Por, në javët e fundit Partizani ka qenë në vëmendje të mediave sportive për vetë faktin se flitet për një projekt ringritjeje për legjendën e futbollit shqiptar.
Sporti shqiptar disa herë me radhë është përpjekur për të marrë një prononcim të administratorit të shoqërisë FK Partizani sh.a., Albert Xhanit, rreth situatës që po kalon Partizani, por ai nuk ka preferuar të flasë gjatë. Xhani gjithnjë ka përsëritur refrenin: Nuk kam gjë me gazetën, por nuk kam çfarë të them. Ndërkohë, në shtp nuk kanë munguar prononcimet e Alebrt Xhanit, gjë e cila ka ndodhur edhe dje.
Albert Xhani dje ka kontaktuar vetë me gazetën, ku së pari ka dhënë një mendim rreth një shkrimi problematik që kishte botuar Sporti shqiptar, por nuk ka dashur të sqarojë shumë gjëra. Gati për ditë ka shkrime rreth meje dhe Partizanit, por dua të sqaroj vetëm një gjë, se kam tre vjet që nuk jap intervista, ndonëse ato janë vënë në gojën time.
Jeni të lirë të shkruani çfarë të doni, ndonëse vetë ende nuk e kam vendosur për të folur. Por ama një gjë duhet ta dini, se kur do të flas, do të flas mirë dhe do ta shkund mirë futbollin shqiptar. Kaq mjafton për momentin, – është shprehur për Sportin shqiptar administratori i shoqërisë aksionare FK Partizani sh.a, Albert Xhani.
