E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Plani dhe alternativa e Edi Ramës është kundër zhvillimit të Dumresë, Elbasanit, Shqipërisë”

02-06-2013 / Gazeta 55

Kryesuesi i listës së kandidatëve të PD, në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami

Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami deklaroi dje gjatë tubimit elektoral në Belsh, se plani dhe alternativa e Edi Ramës është bllokimi i Shqipërisë. Sipas tij, kreu i PS është kundër alternativës së zhvillimit dhe për këtë meriton të ndëshkohet nga vota e qytetarëve në 23 qershor. “Ei Rama erdhi para jush i trembur nga rrugët e ndërtuara dhe investimet e qeverisë. Ne i themi se kemi bërë shumë për Belshin, Rrasën, Fierzën, Grekanin, Kajanin e Shalësin, por në katër vitet që vijnë do të bëjmë shumë më shumë. Ju të dashur qytetarë të Belshit do të zgjidhni më 23 Qershor ndërmjet alternativës së zhvillimit, integrimit, punësimit dhe alternativës së bllokimit dhe bojkotit! Plani dhe alternativa e Edi Ramës është kundër zhvillimit të Dumresë, Elbasanit, Shqipërisë” - u shpreh z.Imami.
Ai solli në vëmendje votën e deputetëve socialistë, kundër ndërtimit të tunelit të Krrabës. Sikurse, tha Imami, Edi Rama votoi edhe kundër subvencioneve në bujqësi dhe uljes së taksave. “Ju jeni dëshmitarë se çfarë bëri Rama kur u votua për ndërtimin e Tunelit të Elbasanit? Ai dhe deputetët e tij votuan kundër! Ai ishte kundër lëvizjes tuaj të shpejtë, kundër investimeve në Elbasan, kundër zhvillimit të Dumresë” - tha ai. Çfarë bëri Rama kur u votua për subvencione në bujqësi? Ai votoi kundër sepse nuk do që fermeri i Dumresë të përparojë, të zhvillohet të rrisë prodhimin e tij. Çfarë bëri kur u votua për më shumë bursa për fëmijët tuaj, për fëmijët e shqiptarëve? Ai votoi kundër jush! Çfarë bëri kur u votua për heqjen e taksave për të rinjtë, për të nxitur punësimin e tyre? Kundër! Rama di të votojë vetëm kundër, sepse ai është kundër zhvillimit dhe punësimit. Alternativa e tij e rritjes së taksave është alternativa e shkatërrimit të ekonomisë shqiptare. Për 12 vjet në krye të bashkisë së Tiranës ai vetëm i rriti taksat.
Gjithashtu, z.Imami bëri përgjegjës Edi Ramën edhe për bllokimin e integrimit të vendit në BE. “Alternativa dhe plani i Ramës nuk është zhvillimi, por bojkoti dhe bllokimi i rrugës sonë për të ecur përpara. Pas 232 ditësh, ai vendosi të heqë bllokadën ndaj vendit të tij. Por dëmi që i shkaktoi qytetarëve shqiptarë është shumë i madh. Ai mbajti peng qindra milion euro investime për rrugët, shkollat, qendrat shëdetësore, e bujqësinë. Ai i dëmtoi të gjithë qytetarët shqiptarë për interesat e veta politike duke mbajtur peng mijëra bursa dhe specializime për rininë, mjekët dhe mësuesit shqiptarë. Ai i dëmtoi të gjithë qytetarët shqiptarë për interesat e veta politike duke sabotuar me mijëra vende pune në të gjithë vendin. Tashmë që dëmi është bërë, ai më në fund i la deputetët e tij të hapin rrugën që e kishin bllokuar pa asnjë arsye logjike për 232 ditë;
ndërkohë që ne hapëm tunelin e Elbasanit, ndërtuam rrugët e Dumresë, ndërtuam rrugët e Elbasanit dhe po zhvillojmë Shqipërinë.  Rama është i nervozuar sepse kudo që shkon sheh rrugë të reja, shkolla të reja, ferma të reja, sheh një Shqipëri që po zhvillohet. Prandaj alternativa e tij është bllokimi, bojkoti, pengimi i integrimit”- përfundoi z.Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›