Plani gjashtëpikësh,nuk kontribuon në Mitrovicë

Plani besohet se do të ketë ndikim në qytetin e Mitrovicës
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm nuk i kontribuon integrimit të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Sipas këtij plani, policia, doganat dhe gjyqësori në Kosovën Veriore të banuar me shumicë serbe do të funksionojnë sipas sistemit juridik të UNMIK-ut, ndërsa lihen jashtë ligjet e Kosovës. Plani i z. Ban besohet se do të ketë ndikim më të madh në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ku problemet janë më të mprehta. Kjo për shkak se menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët e zemëruar dogjën dy pikat doganore në kufi me Serbinë, pjesëtarët serbë të policisë ndërprenë bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë, ndërsa u pengua edhe puna e gjykatave në veri të Mitrovicës. Por çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë dhe serbë të Mitrovicës për planin e OKB-së, me të cilin ndërlidhet edhe funksionalizimi i EULEX-it? "Këto gjashtë pika nuk duhet të pranohen. Mua ma merr mendja që Mitrovica do të ndahet. Jam banor i pjesës veriore dhe po e shoh se si po shkojnë gjërat", shprehet Nysret Cerani. Një qytetar serb thotë se nuk e di çfarë do të ndodhë me planin e OKB-së. "E tëra varet nga politikanët tanë", thotë ai. Ndërkaq Fatime Sadiku, një qytetare shqiptare e zhvendosur nga pjesa veriore e Mitrovicës thotë se është kundër planit të z. Ban ki Moon. "Ky plan e dëmton Kushtetutën e Kosovës dhe për Mitrovicën është një katastrofë e madhe. Megjithëse ne shqiptarët e pjesës veriore e dimë që Mitrovica është e ndarë, ne kemi mbajtur shpresa në EULEX, por tani edhe EULEX-i po dështon dhe ne jemi shumë të zhgënjyer", deklaroi zonja Sadiku. Plani i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon paraqet një kompromis të Kombeve të Bashkuara me Serbinë.