Plani i Bashkimit Sovjetik për një ndarje të re të Europës
Më 22 Qershor 2013 mbushen 72 vjet nga dita kur ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik. Botimeve të deritanishme në Lindje e Perëndim iu mungojnë të dhënat për numrin, llojin, madhësitë e vendndodhjet e armatave sovjetike në vigjilje të sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Këto të dhëna janë akoma sekret shtetëror në Rusinë e Madhe. Edhe nëpër dokumentarët e Luftës II Botërore kapërcehen njoftimet për numrin dhe vend-ndodhjen e armatave sovjetike të këmbësorisë, për numrin dhe llojet e armatave të tankeve, për armatat e parashutistëve, për numrin dhe llojet e armatave të aeroplanëve, si dhe për llojin e fortikimeve në kufinjtë perëndimorë të BRSS. Në Lindje e Perëndim, librat dhe enciklopeditë e Luftës II Botërore nuk japin as të dhëna të tilla dhe as harta të vendosjes së trupave sovjetike. Fitimtarët e Luftës II Botërore duket se janë marrë vesh jo vetëm për ndarjen e zonave të ndikimit, por edhe si do shkruhej më pas historia e Luftës II Botërore. Shkrimi i mëposhtëm është mbështetur kryesisht në librin Krye fajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore të autorit Viktor Suvorov (Viktor Suvorov, The Chief Culprit: Stalin’s Grand Design to Start World War II, Naval Institute Press, 2008). Autori ka qenë analist zgjuarsie në zbulimin ushtarak sovjetik [GRU] dhe ka kaluar nëpër duar dokumenta të arshivave ruse që edhe sot e kësaj ditë janë të mbyllura. Ai u arratis në Perëndim në vitin 1978 dhe deri më tani ai ka botuar një seri librash. Për arsye domosdoshmërie, rrjedha e fakteve dhe ngjarjeve nis që nga Lufta I Botërore.
Vijon nga numri i kaluar
(Në foto)Një tank sovjetik T-34 në
përdorim prej ushtrisë gjermane.
LUFTA E DIMRIT
Gjatë Luftës II Botërore Ushtria e Kuqe pati artilerinë më të fuqishme në botë. Mësymja e Ushtrisë së Kuqe kundër Finlandës ndodhi midis datave 30-11-1939 dhe 13-03-1940. Për rreth 20 vjet finlandezët patën ngritur vija mbrojtëse dhe në rripin e tokës që lidh Leningradin me Finlandën kishin ndërtuar vijën mbrojtëse Mannerheim, ku u zhvilluan edhe luftimet më të ashpra. Për analistët ushtarakë të Perëndimit kjo vijë mbrojtëse ishte e pathyeshme. Tërë rajoni mbrojtës ishte një rrjet tunelesh, pritash, kurthesh, pengesash natyrore e të ndërtuara, bunkerësh, llogoresh, moçalesh, pyjesh, fushash të minuara, gropash, pozicionesh të panumërta snaiperësh, etj. Dhe në kushtet e dimrit, lufta solli humbje të mëdha.
Për shkak të atij sulmi, Lidhja e Kombeve përjashtoi BRSS nga rradhët e saj më 14-12-1939. Në mesin e Marsit 1940 Ushtria e Kuqe kishte bërë të pamundurën: tërë rajoni mbrojtës ishte kaluar dhe vija Mannerheim ishte thyer. Me traktatin e paqes të firmosur në Moskë, Finlanda humbi 11% të territorit dhe 30% të burimeve ekonomike. Humbjet e Ushtrisë së Kuqe ishin: 127000 të vrarë, 189000 të dalë jashtë luftimit (të plagosur, të gjymtuar, të ngrirë, të djegur), 5500 të kapur, 3543 tanke dhe mbi 260 avionët të shkatërruar. Humbjet e ushtrisë finlandeze ishin: 26000 të vrarë, 46000 të plagosur, 1000 të kapur, 25 tanke dhe 62 aeroplanë të shkatërruar. Për Stalinin dhe Ushtrinë e Kuqe llogariteshin vetëm arritjet ushtarake, por jo humbjet në njerëz. Prandaj me qëllim për të mbuluar fitoren e arritur, propaganda sovjetike që në atë kohë dhe më vonë (e ndjekur edhe nga propaganda perëndimore) vazhdon ta mallkojnë atë luftë dhe të tallen me paaftësinë e Ushtrisë së Kuqe. Për ta thelluar mashtrimin, Ushtria e Kuqe pushtoi pjesën e vet të Polonisë më 17-09-1939 me tanke të vjetër, ushtarë të veshur keq dhe armatim të vjetruar. Në fakt nuk qe nevoja për më shumë fuqi ushtarake, sepse Polonia kishte mbaruar pas sulmit gjerman 18 ditë më parë dhe ushtria sovjetike vetëm marshonte përpara.
Tre muaj pas asaj lufte, shtetet balltike Estoni, Lituani e Letoni (Latvia) u dorëzuan pa luftë, u bënë republika sovjetike dhe iu bashkëngjitën BRSS. Në Qershor 1940, BRSS i dërgoi një kërkesë Rumanisë që të lëshonte rajonin e Besarabisë (pjesa lindore e Moldavisë). Rumania jo vetëm që nuk e zgjati, por i dhuroi BRSS edhe Bukovinën Veriore (pjesa veriore e Moldavisë) dhe trupat sovjetike hynë më 28-06-1940.
BURIMET STRATEGJIKE TË GJERMANISË
Gjermania importonte drurin nga Finlanda e Suedia, hekurin e importonte nga Suedia dhe 70% të nevojave të saj për Nikel i plotësonte me importin nga Finlanda. Këto rrugë importi ishin nën kontrollin e plotë nga ushtria e flota sovjetike dhe mund të sulmoheshin në çdo çast prej saj. Me fillimin e bllokadës detare ndaj Gjermanisë pas shpalljes së luftës kundër saj prej Britanisë e Francës më 03-09-1939, i vetmi burim i rëndësishëm i naftës dhe produkteve të saj atë përpunuara ishte Ploeshti i Rumanisë. Pa këto produkte vajgurore, tërë industria dhe makina ushtarake gjermane kalonin në ndalesë të plotë.
Më 09-06-1940, qeveria sovjetike krijoi Frontin Jugor (në kufirin me Rumaninë) të ushtrisë së saj nën komandën e Gjeneralit G. K. Zhukov. Ky front përbëhej nga Armatat 5, 9, 12, të cilat përmblidhnin 32 Divizione pushkatarësh, dy Divizione të motorizuara pushkatarësh, 6 Divizione malore, 14 Brigada të veçanta, 11 Brigada tankesh dhe 3 Brigada parashutiste, 16 Regjimente artilerie të rëndë, 4 Batalione katjushkash, 21 Regjimente aeroplanësh gjuajtës, 24 Regjimente aeroplanësh bombardues. Gjithsej ishin 460000 ushtarë e oficerë, 12000 topa, 3000 tanke dhe 2000 aeroplanë. Rajoni kufitar rumun ishte i sheshtë, më dhe të fortë dhe rrugët ishin në gjendje të mirë. Brigadat e tankeve sovjetike kishin në formacion tanket e shpejta BT, të cilët në këto kushte arrinin shpejtësinë 40-50 km/orë dhe me rrotat e veta 70-80 km/orë. Pra për tre orë tanket sovjetike mund të arrinin fushat naftëmbajtëse të Ploeshtit. Edhe nëse këto nuk pushtoheshin dot nëpërmjet tokës, atëhere puseve, depozitave dhe tubacioneve të naftës mund tiu vihej flaka shumë lehtë nëpërmjet bombardimit ajror.
Në Qershor 1940, Komanda e Lartë e Ushtrisë Gjermane (Oberkommando des Heeres OKH) dhe Komanda e Sipërme e Forcave të Armatosura (Oberkommando der Wehrmacht OKW) nuk kishin ndonjë plan e as ndonjë urdhër për të sulmuar BRSS. Në kufi me BRSS (në Poloninë e ndarë), ushtria gjermane kishte lënë vetëm 10 divizione të pafuqishëm këmbësorie, pa tanke, pa aeroplanë, pa artileri. Ndërsa, në Rumani Divizionet gjermane hynë vetëm në Shkurt 1941 kur filloi zbatimi i Operacionit Barbarossa. Biles, pas pushtimit të Francës më 22-06-1940, Hitleri urdhëroi një paksim të madh të forcave të armatosura gjermane. Papritmas, lindi furia sovjetike kundër Rumanisë (pushtimi i Besarabisë dhe Bukovinës Veriore më 28-06-1940), të cilës trupat rumune nuk i bënë ballë dhe kohë nuk kishte me mbartur trupat nga Franca në Rumani. Berlini përfundimisht e kuptoi se kërcënimi sovjetik në përgjithësi dhe goditja sovjetike në Rumani në veçanti ishte vdekjeprurëse (ngaqë nafta e benzina që vinin prej BRSS ishin sot por nuk do ishin nesër), sepse tani tanket sovjetike kishin ndaluar 180 km larg burimit vajguror të Ploeshtit. Zgjidhje ushtarake për tu mbrojtur nga BRSS nuk dilte; e vetmja zgjidhje që mbetej ishte të sulmohej me të gjitha forcat e papritmas BRSS.
Më 16-07-1940, Hitleri lëshoi Urdhërin Nr. 16, i cili kërkonte që deri në 15-08-1940 të ishte përgatitur plani i operacionit Zeeloewe (Luan Deti) për zbarkimin e trupave në Britani. Rëndimi i kërcënimit sovjetik bëri që ky plan shpejt të futej në sirtar. Më 21-07-1940, Hitleri për herë të parë mërmëriti problemin rus tek njerëzit e tij më të afërt. M