Berisha: Edi Rama i ka dyert e mbyllura në Bruksel
Partia Demokratike mbylli dje fushatën e saj elektorale në qarkun e Dibrës. Gjatë ndalesës në qytetin e Bulqizës, kryeministri Sali Berisha u premtoi banorëve përfundimin e rrugës së Arbrit ndërsa shtoi gjithashtu se qeveria në mandatin e ardhshëm do të rindërtojë të gjitha shkollat në vend. Shpreh besimin e madh se me 23 qershor Bulqiza si gjithmonë bastioni i demokracisë do të votojë 44, do të votojë fitoren. Do të votojë për përfundimin e rrugës së Arbrit, që e shndërron Bulqizën pothuaj në një lagje të Tiranës, e shndërron Bulqizën në një nga qytetet e afërta me Tiranën, e sjell atë në tregun e madh. Më 23 ju do të votoni për infrastrukturë moderne në Bulqizë dhe në të gjithë fshatrat e saj. Për rindërtimin e të gjitha shkollave, hapjen e shkollës profesionale, tha kryeministri Berisha.
Akuzat
Nga Bulqiza, kreu i qeverisë akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama për fshehje të pasurisë. Shoku i autobusit ndërton vilën 57 metra të gjatë, pallatin pesëkatësh dhe nuk tregon një qindarkë, me se po i ndërton. Po e them edhe njëherë, se nëse do të tregonte burimin e të ardhurave nëse do ti kishte të pastra le të ndërtonte jo një por tre vila, por kur fsheh paratë kur nuk tregon origjine n e tyre, tregon se ka frike nga pasuria e tij, ka frikë nga ligji dhe thotë pastaj se mi humbi posta, deklaroi kryeministri Berisha.
Peshkopi
Ndërkohë, edhe në mitingun e zhvilluar në Peshkopi, kryeministri Berisha sulmoi sërish rivalin e tij politik Edi Rama duke theksuar se ai nuk e përmend asnjëherë integrimin pasi i ka dyert e mbyllura në Bruksel.Pyeteni veten si ka mundësi që 3 muaj ai s`ka lënë sharje pa bërë por fjalën integrim evropian nuk e ka shqipëruar asnjëherë, flet edhe për këmishën time dhe jelekun tim dhe asnjëherë për integrimin tuaj. Kjo sepse e di që ka shkelmuar këtë projekt pasi e di që në Bruksel i ka dyer të mbyllura dhe është i damkosur për bllokimin që i ka bërë vendit të tij, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Berisha: Rama nuk do të rrisë rrogat dhe pensionet
Gjatë mbylljes së fushatës elektorale në Pukë, kryeministri Berisha i ftoi banorët që të votojnë për Partinë Demokratike duke premtuar rritjen e rrogave gjatë mandatit të ardhshëm. Votojmë për rritjen e rrogave, asaj mesatare dhe të arsimtarëve, rroga minimale do jetë 350$, rritja e pensionit minimal shkon në 150$, votojmë për rritjen me 50% të ndihmës ekonomike për dyfishimin e pagesës së papunësisë, votojmë për krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës, për dyfishimin e turizmit. Do miratojmë ligjin për statusin e pensionistit, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se gjatë gjithë fushatës elektorale nuk ka përmendur asnjë herë rritjen e pagave dhe pensioneve. Pyeteni Edi Ramën si ka mundësi që fjalën pension nuk e ke zënë me gojë për tre muaj, si ka mundësi që shoku i autobusit 3 muaj rresht nuk ka folur për rritjen e asnjë rroge. Do heqë ndihmën ekonomike për 40 mijë qytetarë dhe do krijojë 40 mijë vende pune, kjo gënjeshtra më e madhe e tij. Si ka mundësi që nuk tha një fjalë për mungesën e të papunëve që janë në Shqipëri si në çdo vend të botës. Së fundi si nuk përmendi asnjëherë të vetme fjalën integrim, deklaroi kryeministri Berisha. Në përfundim të fjalës së tij Berisha premtoi të tjera investime në Pukë.
Pollo: Mandatin e ardhshëm rroga e mësuesve do jetë 700 dollarë
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Beratit, Genc Pollo zhvilloi një takim me mësues të rrethit të Beratit. Gjatë fjalës së tij, Pollo akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se ofendoi mësuesit duke i quajtur ata injorantë dhe për këtë Pollo u kërkoi mësuesve të Beratit që të mos i japin asnjë votë kryesocialistit Rama. Nuk mund të jenë të besueshme fjalët, kur vijnë nga goja e një njeriu që mësuesit e vitit 2013 i ka quajtur analfabetë dhe më të dobët se ata të një shekulli përpara. Apo grupe të tjera shoqërore, për shembull, infermieret i ka quajtur me emra që nuk mund dhe nuk do doja ti përmendja me ju, tha Pollo. Duke u ndalur tek mandati i tretë, Genc Pollo ju referuar premtimit të bërë nga kryeministri Berisha se rroga e mësuesve do të jetë 700 dollarë. Paraja është e rëndësishme, por nuk është gjithçka, por, për sa i përket asaj se është e rëndësishme, gjithsesi, dyfishimi i pagave të mësuesit, që jo të gjithë e besonin në 2005, kur e shpalli Kryeministri, është bërë realitet dhe do të vazhdojë përsëri rritja e rrogave dhe angazhimi ynë si Parti Demokratike është që të mos ketë asnjë pagë mujore më të ultë se 700 mijë lekë të vjetra apo 700 dollarë amerikanë, deklaroi Genc Pollo.