E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti nuk është më lajm



Beteja ka mbaruar, por Rama me të tijtë po bën çmos të na kujtojë historinë e japonezit të vetmuar në ishullin e Paqësorit, i cili rrinte në gjendje gatishmërie, edhe pse Lufta e Dytë Botërore kishte sosur.

Dikur, ushtari japonez e mori vesh. Ndërsa, qëndrimi i Ramës në ishull me gjasë do të jetë më i gjatë. Kur e kur, atij po i thonë se ka rënë paqja dhe duhen instrumente të tjera kësodore. Mirëpo, këta zëra po i ngjajnë si thirrjet e nimfave komplotuese. Dhe ky Odise modern i ka dyllosur mirë veshët për të mos dëgjuar nga ajo anë. Ai e di mirë se si kapiten anijeje, shndrit më shumë nëse vjen vërdallë në ujëra të turbullta, sidomos tani, që ka në bord edhe disa marinarë të zotë që kanë ardhur nga kampi i djathtë. Po qe se kthehet në kontinent (Parlament), ushtria mund të mos jetë njësoj e nënshtruar ndaj tij, meqenëse ai vetë nuk është deputet, pra nuk është në fushëbetejë.

Deri kur dhe sa larg mund të shkojë kryetari i opozitës me bojkotin dhe gjuhën e forcës? Kjo është një pyetje që në fakt po mundon jo pak vetë në Shqipëri.

Qëndrimi radikal pas zgjedhjeve të 28 qershorit mund të justifikohej me parimin se vota është e shenjtë dhe duhet llogaritur si e tillë deri në fund. Dhe ky do të ishte ndoshta i pari shërbim që Rama po i bën vendit dhe demokracisë në gjithë karrierën e tij. Problemi është se kryetari i socialistëve ka ndërmend të tundë sheshet e Shqipërisë dhe të përdorë gjuhën e forcës, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet, ai ende nuk ka paraqitur një provë për të na bindur se vota e qershorit është vjedhur dhe manipuluar.

I vetmi dokument që ka treguar deri tani Rama për të ftuar popullin në kryengritje (gjuha e forcës, siç tha ai vetë në Berat), është vetëm një fjali e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, që numërimi i votave në 1/3 e tij ishte problematik. Duhet sqaruar se gjysmën e përgjegjësisë për 1/3 e ka ai vetë, pasi ka qenë 1/2 e Kodit, infrastrukturës, numërimit, pra e krejt procesit.

Për paradoks, ndërsa e bazon gjithë qëndrimin e tij tek ky shënim i ndërkombëtarëve, ai injoron të gjitha thirrjet e tyre për t’u futur në Kuvend dhe për t’u bërë pjesë e sistemit. Qëndron jashtë se diplomatët e huaj kanë çmuar numërimin e votave si problematik, ndërsa nuk u vë veshin kërkesave të tyre të përsëritura për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Shumëkush beson se arsyet e vërteta të bojkotit janë të tjera.

Ai sigurisht nuk e duron dot faktin që nuk erdhi në pushtet. Për më tepër, kur pakti Berisha-Meta ia venit edhe më shumë shpresat se ajo ditë do të jetë e afërt. Kështu që, e vetmja gjë që ka në dorë të bëjë tani, është të prishë dasmën e të tjerëve. Dhe deri diku ia ka dalë. Salla e Kuvendit nuk ngjan aspak bukur pa pjesën e saj organike, që është opozita, sidomos kur bëhet fjalë për të kaluar ligje dhe reforma të rëndësishme, kur jo shumë vonë do të diskutohet aty edhe buxheti i qeverisë, një prej momenteve më të rëndësishme të parlamentarizmit.

Edhe nëse do të ketë ndonjë lloj oponence, nga ndonjë figurë e spikatur brenda mazhorancës, sërish kjo është shumë pak për të ruajtur seriozitetin e tempullit të demokracisë.

Bojkoti i PS-së dëmton edhe imazhin e vendit, veçanërisht në këto kohë të rëndësishme kur integrimi evropian dhe mundësia e heqjes së vizave të Shqipërisë me hapësirën “Shengen”, janë bërë çështje konkrete, të afërta dhe madje të prekshme.

Por, kjo lëvizje nuk lë sigurisht pa prekur vetë Partinë Socialiste dhe interesat e saj. Kjo forcë politike çdo ditë e më shumë rrezikon të bëhet më pak interesante. Historia jonë jo shumë e gjatë e pluralizmit ka treguar se një parti që bojkoton dhe rri gjatë në sheshe, nuk se e rrit simpatinë publike ndaj saj, përkundrazi. Në rastin e PS-së kjo mund të jetë edhe më e dukshme, duke qenë se kjo sjellje nuk ka qenë shumë prezente në traditën e saj. Me kalimin e kohës, kjo lloj politike mund të bëhet e mërzitshme, madje edhe për mediat, çka do të thotë përherë e më pak vëmendje. Aq më tepër kur Partia Socialiste e ka arritur shumë shpejt kulmin e qëndrimit radikal, siç është moshyrja në Parlament, manifestimi masiv në rrugë, mosmarrja pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore, sa tani tonet e saj do të vijnë natyrshëm drejt uljes. Zor se do të vonojë dita kur pas protestave të reja të PS-së, të thuhet: Ku është lajmi këtu?

Kundër Ramës nuk llogariten vetëm faktorët klimaterikë, duke qenë se po futemi në dimër dhe qytetarët e kanë më të vështirë të ndjekin nga pas një parti, por sidomos mungesa e thellë e ndërgjegjësimit për këtë kauzë. Një mbushje bulevardi mund të jetë vërtetë sasiore, duke qenë se nuk është e vështirë të mbledhësh elementë anti-Berishë dhe në përgjithësi kundër qeverisë, por sekreti i qëndresës është tek cilësia. Sa e ndien në të vërtetë populli opozitar thirrjen për zgjedhjet e 28 qershorit, të certifikuara tashmë zyrtarisht si më të mirat që janë bërë deri tani në Shqipëri?

Është e vështirë të parashikohet se ç’do të ndodhë, pasi kjo është e lidhur ngushtë me atë se çfarë ka në mendje Rama. Por, dihet se një ditë Partia Socialiste do të futet në Kuvend. Se çfarë do të ketë përfituar kjo forcë politike në këtë rast, mbetet jo e lehtë të imagjinohet. Ndërsa kryetari i saj me siguri nuk do të ndahet pa një plaçkë lufte. Çka do të mbesë pas është pyetja: A ia vlejti?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›