Arrestohet drejtoresha e Tatimeve në Fier për falsifikim bilancesh
Drejtoresha e Tatim-Taksave në Fier është arrestuar nga policia së bashku me tre ekspertë kontabël, pasi akuzohet për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim të detyrës”.
Nga hetimet e kryera rezulton se ekonomistët e ndaluar dyshohet se përveç të tjerave, kanë falsifikuar bilancet e hartuara për llogari të prokurorisë dhe gjykatës.
Gjithashtu, drejtoresha e Tatimeve, Nevila Bami, është vënë në pranga për shkelje të cilat janë kryer më parë se ajo të merrte këtë funksion. Kjo, pasi 34-vjeçarja ka vetëm dy javë që ka marrë këtë detyrë. Gjykata e Tiranës ka dhënë për Bamin masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar, pranë policisë së Tiranës, organizuan operacionin “Fshehja”, ku vunë në pranga 56-vjeçarin Shkëlqim Sako, 43-vjeçaren Ajeta Shkëmbi dhe 40-vjeçaren Marjana Palla, të tre banues në Tiranë dhe 34-vjeçaren Nevila Bami, lindur dhe banuese në Lushnjë. Sipas burimeve zyrtare policore, nga strukturat e këtij seksioni, pasi u ushtrua një kontroll i imtësishëm në banesat e të ndaluarve u gjendën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi kompjuterësh, si dhe një sërë dokumentesh financiare, të cilat zotëroheshin nga këta të fundit. Katër ekonomistët dyshohet se gjatë punës së tyre kanë falsifikuar bilancet, madje edhe ato për llogari të gjykatës dhe prokurorisë. Gjithashtu, ata dyshohet të kenë përvetësuar një sasi parash nga këto falsifikime.
Hetimet
Hetimet kishin disa muaj që kishin filluar dhe ato përfunduan me organizimin e operacionit “Fshehja” dhe ndalimin e katër ekonomistëve. Për 54-vjeçarin Sako, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 17 tetor 2009, ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe të “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afërsitë”, për veprën penale të “falsifikimit të vulave stampave ose formularë”, “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe “falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa për 43-vjeçaren Shkëmbi, 40-vjeçaren Palla dhe 34-vjeçaren Bami, drejtoreshë e Tatim-Taksave në Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës 17.10.2009, ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe të “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afërsitë”, për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim dhe “falsifikim të dokumenteve”.