Bamir Topi në KLD: “Drejtësia të mos infektohet nga politika”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkoi gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që Drejtësia të mos infektohet nga politika. Ai garantoi se pozicioni tij do të jetë në përputhje me atributet që i jep Kushtetuta duke siguruar balancë institucionale. Më tej Topi ka vënë theksin në domosdoshmërinë e reformave në pushtetin gjyqësor, si garant i shtetit të së drejtës. “Mesazhi im për ju lidhet me nevojën për të insistuar në kauzën së cilës ju keni zgjedhur t’i shërbeni, drejtësisë dhe ligjit. Dhe do të kërkoj ta bënit këtë për të qenë parimorë në qëndrimin tuaj. E them këtë sepse është e rëndësishme të theksohet se problemet politike të një shteti, në asnjë rast nuk duhet të infektojnë sektorin e Drejtësisë”, - është shprehur Topi. Ai tha se drejtësia bazohet në parime universale, të cilat nuk lidhen me legjislatura apo mandate dhe janë garancia më e mirë në llogaridhënien përpara vetes, shtetit dhe shoqërisë. Më tej Topi vuri në dukje se në qendër të vëmendjes aktualisht është debati për realizimin e reformave në Drejtësi. Presidenti u shpreh se është i nevojshëm realizimi i një dialogu gjithëpërfshirës, në mënyrë që të arrihen vendime konsensuale dhe solide. “Mbledhja e këtij Këshilli i takon të zhvillohet në një kohë procesesh dhe diskutimesh të shumta që kanë përfshirë shumë subjekte dhe institucione qendrore e që kanë si emërues të përbashkët sferën delikate të drejtësisë. Historia e shoqërisë njerëzore ka treguar se suksesi i një shteti nuk qëndron në retorikat e qëndrimit personal, që mund të çojnë në një acarim tensionesh ndërinstitucionale, madje edhe në përkeqësim të tyre. Përkundrazi, dialogu dhe kompromisi, ndërmjetësimi dhe mirëkuptimi janë pjesë e vizionit të demokracisë, pasi kjo e fundit, aq sa reflekton soliditet, aq ka edhe brishtësi”, - është shprehur Topi. Më tej, duke iu referuar rendit të ditës së mbledhjes së KLD-së, e cila kishte si synim zgjedhjen e një anëtari për Gjykatën e Krimeve të Rënda, Topi kërkoi promovimin e gjyqtarëve që kanë investuar në karrierën gjyqësore.
8 Korrik 2008