E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet e PS-së, Rama u prezanton dosjen ambasadorëve

SHKRUAN: Fejzi Braushi 02-07-2011 12:54

Gjashtë ditë para sesa Kolegji Zgjedhor të vendosë në mënyrë përfundimtare për fatin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës, Partia Socialiste ka ndërmarrë një fushatë të gjerë denoncimi të asaj që ajo e konsideron si manipulimi elektoral. Për këtë qëllim kreu socialist Edi Rama ka pritur dje një takim të posaçëm përfaqësuesit kryesorë të përfaqësive diplomatike në vendin tonë, por ku mungonin disa nga drejtuesit e parë të tyre, si ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu; ai i OSBE-së, Eugen Volfarth. Gjatë takimit lideri i opozitës që ishte dhe kandidat i saj për Bashkinë e Tiranës, ka paraqitur para diplomatëve të huaj faktet filmike që, sipas tij, faktojnë manipulimin e zgjedhjeve në këtë njësi vendore.

Takimi

Rreth mesditës së djeshme në selinë rozë me ftesë të vetë kryetarit kanë mbërritur me radhë të gjithë ambasadorët e vendeve kryesore në vendin tonë, me përjashtim të atij të

SHBA-ve, Aleksandër Arvizu; asaj të Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham; dhe ai i OSBE-së, Eugen Volfarth; të cilët kishin dërguar zëvendësit e tyre. Takimi është zhvilluar pa praninë e medias dhe në të përveç ambasadorëve dhe Ramës kanë qenë të pranishëm dhe disa nga përfaqësuesit socialistë, ekspertë në fushën e zgjedhjeve, si Damian Gjiknuri etj. Burime nga ky takim kanë bërë të ditur se vetë lideri i opozitës, Edi Rama, nëpërmjet pamjeve filmike u ka paraqitur ambasadorëve një mori provash të mbledhura nga grupi i ekspertëve të PS-së, duke treguar mospërputhjet mes numrit të zgjedhësve dhe fletëve të gjetura në kuti, si dhe mospërputhjet e fletëve të gjetura në kuti dhe fletëve të vlefshme, plus ato të pavlefshme të pasqyruara në tabelat e rezultateve. Mësohet se gjatë takimit ambasadorëve u është shpjeguar edhe vendimmarrja e pesë gjykatësve, që do të gjykojnë më 6 Korrik ankimimin e PS-së. Duke iu referuar kërkesës që PS ka paraqitur në gjykatë, mësohet se Rama ka prurë në vëmendje të diplomatëve të huaj se Kolegji ka vendosur vetë tashmë një praktikë të qartë kur ka shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në komunat Kolsh dhe Armen, ku për mospërputhje të numrit të zgjedhësve me atë të votave të gjetura në kuti është urdhëruar rivotimi.

Reagimet

Menjëherë pas takimit, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, i pranishëm në këtë tryezë, me gjithë këmbënguljen e mediave të interesuara nuk ka dhënë detaje apo përshtypje lidhur me atë që i kishte prezantuar Raman në takim, ndërsa është mjaftuar vetëm me fjalët “U njohëm me faktet, kjo ishte e gjitha”. Detajet e takimit i bëri publike për mediat deputeti Damian Gjiknuri, i cili theksoi se ky takim ishte mëse i nevojshëm për vetë faktin e gjetjes së një mori provash, që vërtetojnë parregullsi në tabelën përfundimtare të tabuluar nga KQZ-ja. “Qëllimi qe për të bërë një demonstrim përpara trupit diplomatik, në lidhje me të gjitha ato gjetje që ka nxjerrë hetimi i kryer nga grupi hetimor, që ka ngritur Partia Socialiste, në lidhje me gjithë ato shkelje, që një pjese e tyre janë bërë publike dhe në media, gjithashtu edhe me argumentet tona ligjore, nisur edhe nga praktikat e mira ndërkombëtare, nisur edhe nga precedentët që ka vendosur Kolegji Zgjedhor, se përse këto zgjedhje duhet të shkojnë drejt pavlefshmërisë dhe përsëritjes”, - tha Gjiknuri. Takimi i djeshëm me ambasadorët përbën hapin e parë të PS-së për sensibilizimin e opinionit publik me problemet e evidentuara nga kjo forcë politike për zgjedhjet e Tiranës. Kjo pasi mësohet se faktet e manipulimit do t'i dërgohen BE-së dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa sot do t’i prezantohen dhe medias nga vetë kryetari Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›