E Diel, 1 Nëntor 2026

Stinae verës rrit qarkullimin me 30 për qind më shumë se një vit më parë Kufiri, shtohet numri i sporteleve për turistët Edi Mola Virtyt Avdyli Pikat kufitare në Shkodër dhe në Kakavijë kanë rritur n

03/08/2010 Stinae verës rrit qarkullimin me 30 për qind më shumë se një vit më parë

Pikat kufitare në Shkodër dhe në Kakavijë kanë rritur numrin e sporteleve në gatishmëri për të pritur turistët. Ndërkohë raportohet rritja në rreth 30 për qind e numrit të turistëve në krahasim me një vit më parë.

Muriqan–Sukobinë

Pika kufitare e përbashkët shqiptaro-malazeze Muriqan–Sukobinë mbetet pika më e frekuentuar për kalimin e turistëve nga qyteti i Shkodrës. Duke ditur fluksin në rritje gjatë stinës së verës, janë vënë në punë të gjithë sportelet. Aktualisht funksionojnë 16 sportele për të përballuar hyrje-daljet e turistëve dhe emigrantëve. Sipas shefit të pikës kufitare të Muriqanit Ilir Hasa, krahasuar me një vit më parë në këtë pikë ka një rritje me rreth 30% të turistëve. Në bazë të të dhënave, gjatë muajit korrik llogariten rreth 5000 shtetas në ditë. Por rritja e fluksit të kalimeve në pikën kufitare të përbashkët shqiptaro-malazeze Muriqan–Sukobinë rrit dhe rrezikshmërinë e kalimeve të mjeteve motorike të vjedhura si dhe të personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Nisur nga ky fakt si dhe në kuadër të masave të marra për përballimin e fluksit, është rritur ndjeshëm bashkëpunimi me policinë e rendit pranë drejtorisë së policisë së qarkut Shkodër në kuadër të ndalimit të personave që kanë kryer vepra penale dhe tentojnë të kalojnë kufirin dhe të mjeteve motorike të vjedhura që tentohen të futen në Shqipëri.

Si pasojë e këtij bashkëpunimi janë sekuestruar disa autovetura të vjedhura në shtete të ndryshme europiane. “Duke parë shtimin e ndjeshëm të hyrje-daljeve janë rritur dhe kontrollet. Nuk kanë munguar rastet e kapjeve të mjeteve motorike të vjedhura gjatë këtij viti, të cilat janë bllokuar, si dhe persona në kërkim. Gjithashtu edhe në muajin korrik 3 mjete motorike janë sekuestruar, pasi rezultojnë të vjedhura në vende të ndryshme të Evropës”, - ka sqaruar Hasa.

Kakavijë

Mbi 250 mijë shtetas shqiptarë kanë qarkulluar në të dyja anët e kufirit gjatë muaj korrik përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Gentian Mullai, zëdhënësi i drejtorisë rajonale të kufirit dhe migracionit për qarkun e Gjirokastrës, bëri të ditur se në periudhën kohore 1-31 korrik kanë hyrë për në territorin shqiptarë rreth 140 mijë shtetas shqiptarë, 23 mijë të huaj, rreth 35700 automjete si dhe 750 autobusë, ndërkohë kanë qarkulluar drejt Greqisë rreth 110 mijë shtetas.

Ai nënvizoi se në pikën e kalimit kufitarë Tri Urat në Përmet kanë qarkulluar 50 mijë shtetas, prej të cilëve 35 mijë kanë hyrë në territorin tonë, ndërsa pjesa tjetër kanë udhëtuar drejt shtetin fqinj. Ndërkaq mësohet se gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në territorin shqiptar afro 3000 emigrantë, 400 automjete dhe 30 autobusë të linjës ndërkombëtare Tiranë–Athinë (Greqi).

Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës në kufirin Shqipëri–Greqi funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalime kufitare: ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe Tri Urat, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›