Plehrat mbulojnë Durrësin, periferia është kthyer në kazan mbetjesh
Një situatë skandaloze është krjuar në periferinë e qytetit bredgdetar të Durrësit, ku masivi i plehrave jo vetëm që është kthyer në një burim ndotjeje, por dhe në një oaz punësimi në të zezë, ku shikon se si punohet në kushte të mjerueshme nga fëmijë, të rinj, apo edhe të moshuar.
Pamjet nuk kanë nevojë për shumë koment. Jemi vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit të Durrësit dhe pamjet dëshmojnë sikur ndodhemi në vendin më të humbur të botës.
Situata bëhet edhe më e rrezikshme për sa i përket epidemive të mundshme, pasi mbetjet e qytetit po shpërndahen edhe në zona të tjera të qytetit duke kërcënuar jetën seriozisht.
Një pjesë e mbeturinave, siç tregojnë edhe pamjet filmike kanë bllokuar rrugët kryesore në periferi të qytetit bregdetar, duke shkaktuar kështu probleme të vazhdueshme në lëvizjen e automjeteve.
Një nga qytetet kryesore në Shqipëri me numër popullsie të trefishuar nuk ka ende një qendër për përpunimin e mbetjeve urbane, që do të thotë se në një të ardhme të afërme situata në këtë territor mund të bëhet katastrofike.