E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Plenumi i PS”/ Demokracia e brendshme është pezulluar deri në një urdhër të dytë

21-12-2011 / Redaksionale

Me përjashtimin e Kastriot Islamit, Partia Socialiste ka dhënë dy mesazhe të forta brenda një dite. Për të qenë saktë, deputeti socialist Kastriot Islami u bë kurban jo për çështje rregulloreje, siç duan ta përcjellin njerëzit e Ramës, por për edukuar të tjerët, sipas teorisë maoiste: godit një për të edukuar njëqind. Këtë bëri, kreu i PS-së, me çregjistrimin e kryetarit të parë pluralist të Parlamenti Shqiptar, pas shembjes së regjimit komunist. Goditja ishte si një rrufe që tremb fëmijët. Prandaj dhe kanë heshtur pothuajse të gjithë “shokët” e supozuar të Islamit brenda PS-së. Mësuam se Arben Malaj ka votuar kundër përjashtimit dhe është prononcuar se përjashtimi nuk u shërben sfidave dhe demokracisë së brendshme. Është shumë pak solidarizim publik për një karrierë 20-vjeçare brenda një partie.
Megjithatë qëllimi i Edi Ramës ishte i qartë dhe krejt me dashje, të godasë një deputet për të trembur të ashtuquajturit deputetë të mendimit ndryshe, që me përjashtimin e Islamit mund të thuhet që e ka mbyllur fazën rebele brenda strukturave dhe forumeve partiake. Kushdo që do të “kundërshtojë” vendimet e Ramës, me siguri, do të marrin certifikatën e çregjistrimit nga partia e Ramës. Sepse me këtë vendim PS-ja u kthye në një çiflig ku kërkohen shërbyes dhe jo qytetarë, intelektualë a profesorë, etj. Nëse ky mesazh i parë është i ri për nga forma,  nga përmbajtja i ngjan shumë “përjashtimeve” komuniste, që do të thoshte në rastin më të mirë internim dhe në rastin më të keq pushkatim. Meqenëse pushkatimet dhe internimet e kundërshtarëve politikë kanë dy dekada që janë ndalur, format e represionit të lirisë gjenden akoma në partinë e dalë nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës. 
Sakaq mesazh i dytë është padashje për opinionin publik, për të gjykuar për demokracinë e brendshme të partisë më të madhe opozitare. Demokracia brenda opozitës është pezulluar deri në një komunikim të dytë. Edi Rama ia doli të imponohej si I Padiskutueshmi. Të padiskutueshëm në opozitë Ramën e kanë bërë gjithë njerëzit e papranueshëm që e kanë rrethuar e këshilluar për dorë të fortë e spastrime, për grevë urie dhe demonstratë të dhunshme. Alergjia nga fjala e lirë e ka teshtirë Islamin në botën e lirë. Islami ka thënë të futemi në Parlament, të sillemi si një forcë moderne dhe të lëmë rrugët e djegiet e gomave, të bëjmë një program etj, etj. Dhe cka është më e  bukura në këtë  rast Kastriot Islami ka fituar debatin në një sistem vërtet demokratik. Afërmendsh pastaj jo vetëm që duhet të ishte në parti, por do të ishte  i promovuar, me shumë gjasa sot do ishte kryetar, pasi sfidoi kryetarin në argumente dhe e mundi. Ndërsa këtu përjashtohet, ngase Rama ka trukuar mekanizmat e PS-së. Gjithsesi ky është vetëm një veçori e këtij rasti. Edhe në qoftë se sot Edi Rama do ishte akoma në rruge kjo është prapë diktaturë. Problemi nuk është çfarë i ka bërë Kastrio Islami PS-së. Sepse deputeti Islami de-facto është “përjashtuar” me kohë pasi nuk është dakord me kryetarin. Këtu problemi është pushteti pakufishëm i Ramës  për të bërë çfarë të doje dhe se militantët e PS-së besojnë se kjo është e drejtë. mirëpo këto janë reflekse të trashëguar të disa mekanizma zhvlerësuese jo vetëm të kontributeve politike, por dhe të vlerave të dinjitetit të njeriut.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›