Censusi, Berisha: Zhvillimi më i madh kombëtar, jemi komb urban

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar censusin si një proces të suksesshëm ndërsa ka shtuar se edhe pse ky proces u zhvillua me shpejtësi ai u realizua në liri të plotë. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha theksoi se procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave është zhvillimi më i madh kombëtar në rrafshin social. Ndërsa ka falenderuar të gjithë shqiptarët dhe të gjithë regjistruesit që morën pjesë në këtë proces, kryeministri Berisha theksoi se një rezultat i rëndësishëm i censusit është se për herë të parë popullata e qyteteve dominon në ato të fshatrave. “Kemi qënë një vend rural për të mbrojtur eksistencen tonë. Lëvizja e madhe drejt urbanizimit është oguri më i bardhë për të ardhmen e kombit. Kombet urbane janë ato të cilat të lira ndërtojnë prosperitetin. Rendimenti i tyre është shumë herë më i madh.U gëzova shumë kur pash rezultatet që dëshmojnë se aktualisht 53.7 përqind e shqiptarëve jetojnë në zonat urbane ndërsa 46.3 përqind në ato rurale”- u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit, me publikimin e të dhënave paraprake të censusit marrim një përgjigje të gjithë ata të cilët kanë qënë agresiv ndaj lëvizjes së lirë dhe procesit të urbanizimit të kombit ndërsa ka shtuar se ky process është më i shpejti që një komb mund të ketë patur ndonjëherë. Berisha solli në vëmendje se një tjetër zhvillim pozitiv të procesit të censusit janë edhe ritmet e mira të rritjes së popullsisë duke theksuar se në rast kërcënimi qeveria është e gatshme të mbështesë politika demografike me interes kombëtar që sipas tij janë faktuar si eficente. Sipas kryeministrit një tjetër tregues shumë i rëndësishëm të censusit është edhe rritja e numrit të banesave në Shqipëri brenda 10 vjetëve. “Regjistrimi ka një tregues tjetër shumë të rëndësishëm pasi në 10 vjet dëshmon se shqiptarët kanë ndërtuar banesa, 40 për qind më shumë se të gjitha kohërat. Dhe kjo është 38 përqind më shumë banesa dhe një rritje e sipërfaqeve të ndërtimit”- ka shtuar më tej Berisha.
Në fund të fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë kryeminsitri Berisha i është rikthyer renditjes së bashkive me numrin më të mëdha në vend si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra, Kamza, Fieri, Korça, Kashari, Paskuqani, Berati dhe Lushnja.