Plepa-Rrogozhine ha edhe 850 milione leke

Problemi është se mbikalimi më i afërt ishte pranë shkëmbimit të Kavajës, rreth 2 kilometra larg, gjë që ia bënte të vështirë kalimtarëve/pushues ecjen në kushte normale në kulmin e trafikut.
Aksi rrugor që nis nga by pass i Plepave (Durrës) dhe që përshkon gjithë vijën e plazhit të Golemit, e më tej në Kavajë, për t’u mbyllur në Rrogozhinë vijon ende t’i kushtojë buxhetit të shtetit.
Me miliardat e shpenzuara dhe me një projekt që ka marrë jetë njerëzish, rruga Plepa-Kavajë-Rrogozhinë konsiderohet vepra më pak eficiente për vendin.
Investimet përreth janë në prag të falimentit, kurse pushuesit dhe banorët e zonës që tentojnë të kapërcejnë hekurat 2 metra të gjatë po shkaktojnë një kaos të vërtetë.
Sakaq, Drejtoria e Rrugëve sapo ka lidhur kontratën me firmat ndërtuese për vijimin e punimeve, të cilat kushtojnë edhe 850 milionë lekë, shtesë punimesh.
Mungesa e një strategjie për ndërtimin e rrugës, me 2 apo me 4 korsi dhe zbatimi i parimit ‘duke parë dhe duke bërë’ po e kthejnë këtë korridor, jo vetëm në ferrin për drejtuesit e automjeteve, por edhe gropë për buxhetin e shtetit.
Vendosja e një rruge dytësore nuk dha ndonjë rezultat të duhur. Trafiku duket i zgjidhur në segmente të caktuara, por pranë ‘Shkëmbit’, makinat shtojnë radhët për të kaluar drejt by pass-it, kurse kapërcimi i autostradës bëhet me mjete rrethanore, si vendosje gurësh për të arritur murin, kapërcim hekurash me ndihmën e tjetrit etj. Punimet vijojnë ende në vitin pestë, volumi i të cilave rritet në kulmin e sezonit turistik.