Yes Man!
Klubi i politikanëve që thonë veç Po!. Ndryshimet e reja në Kryesinë e selisë blu dhe fenomeni i politikanëve që thonë vetëm Po!. Sepse në këtë mënyrë ngjiten shpejt shkallët e politikës.
Për ata që e kanë parë filmin Yes Man me protagonist Xhim Kerrin, e kanë të lehtë ta kuptojnë domethënien e titullit më lart. Ata që nuk e kanë hasur gjëkundi atë, mund tu shpjegohet lehtë: Një burrë, të cilit i ka ecur gjithnjë ters në jetë, vendos një ditë ti thotë, Po!, gjithçkaje. Nga ky çast jeta e tij do të ndryshojë katërcipërisht, duke i shtuar situatat komike e aventureske vetes dhe ndrequr gjithçka për mirë. Por, nëse konceptin e Yes Man-ëve (pra, të atyre që thonë vetëm: Po!) e huazojmë në politikën shqiptare, kuptimi i saj do të na ndryshojë paksa nga ai i Xhim Kerrit. Politika jonë është e mbushur me Yes Man-ë dhe këtë na e rrëfejnë çdo ditë ajo çfarë ndodh brenda selive të partive kryesore politike apo nga mënyra sesi sillen me vartësit e tyre Sali Berisha dhe Edi Rama. Ashtu si protagonistit në film, edhe politikanëve Yes Man-ë u ndryshon katërcipërisht jeta, nëse shqiptojnë disa herë radhazi Po!. E kemi parë këto 20 vjet se, nëse kthehesh në njeriun që i thua vetëm Po! kryetarit, atëherë ndryshimet e mira personale vijnë shpejt në kohë, qoftë në detyrat në parti, qoftë në ato qeveritare kur partia është në pushtet. Sepse edhe kryetarët partiakë shqiptarë kanë premisat ta pranojnë më thjesht këtë tip të formimit të një politikani, dinë ta shpërblejnë më mirë atë, dhe kështu tregojnë lehtësisht se janë ata që vendosin për të ardhmen politike të gjithsecilit dhe askush tjetër.
Shembullin më të ngjashëm të një politike Yes Man e dhanë zgjedhjet e fundit që u bënë për Kryesinë e re të Partisë Demokratike, e cila ende sot vijon të jetë në varësinë e plotë dhe e përqendruar rreptësisht në duart e kryetarit Berisha. Atë çfarë ka bërë me kabinetin qeveritar prej dy vitesh, ku ministrat demokratë janë të gjithë bashkëpunëtorë të vjetër ose beniaminë të tij, Berisha e ka zyrtarizuar së fundi edhe në selinë blu, duke propozuar dhe dhënë pëlqimin që në Kryesinë e re të PD-së të mbajë veç njerëzit e afërt të tij, dinosaurët e vjetër të partisë (përjashtuar ndonjë figurë si Besnik Mustafaj), por edhe figurat politike që thonë vetëm Po!, të cilët bëjnë pjesë në takëmin e atyre politikanëve që i ngjisin shkallët e hierarkisë thjesht pse mbajnë një qëndrim të tillë. Siç edhe në kabinetin qeveritar që drejton, kryedemokrati ka eleminuar kësaj radhe nga strukturat drejtuese të partisë të gjithë emrat që, vitet e fundit, guxuan të jenë kritikë ndaj mënyrës së udhëheqjes së PD-së. Një taktikë e përdorur edhe nga Fatos Nano kur drejtonte PS-në, por e ndjekur edhe nga Rama në kohë të ndryshme.
Problemi me PD-në është se Berisha e ka zbatuar gjithmonë këtë taktikë, e ndoshta është konfirmuar si babai ideal i saj. Duke pasur të drejtën absolute për të propozuar cilin emër të dojë për anëtar të strukturës më të lartë drejtuese të PD-së, Berisha është vet zot e vet shkop në selinë blu. Që do të thotë se, kush nuk e ka mirë me të mbetet jashtë partisë, kush luan rolin e Yes Man-it ka shanse ti ngjisë shpejt shkallët e karrierës politike. Kjo i ka ndodhur ca vite më parë Spartak Ngjelës, të cilit pasi iu ngrinë nga funksionet e larta që mbante në PD, u vetpërjashtua për të themeluar një tjetër forcë politike derisa kaloi në opozitë. Shkopin e rëndë të Berishës e provoi më vonë edhe një nga themeluesit e PD-së dhe ish miku i ngushtë i kryetarit, Besnik Mustafaj, i cili pothuajse sot është një figurë e harruar, inekzistente, në selinë blu, ndoshta sepse refuzoi të bëhej pjesë e grupit të Yes Men-ëve demokratë. Ky i fundit, së bashku me ish deputetin dhe ish anëtarin e Kryesisë së PD, Aleksandër Biberaj, kanë qenë dy nga zërat më kritikë në parti, të cilët nuk kanë heshtur edhe për shkeljet statutore që janë bërë me dashje, duke shtyrë për dy vjet mbledhjen e Këshillit Kombëtar, zgjedhjen e Kryesisë së re dhe rifreskimin e strukturave të tjera dytësore.
Selia blu ka 5 vjet që është bosh, aty nuk gjen më njeri me përjashtim të rojes, shprehej Biberaj, në dhjetorin e 2010-ës, në një intervistë për Klan, duke ironizuar faktin se çdo gjë në selinë blu, përfshirë Kryesinë, Këshillin Kombëtar, të gjitha forumet pa përjashtim, drejtuesit dhe sekretarët, gjithkujt u kishte mbaruar mandati prej më shumë se një viti e gjysmë. Por, në mbledhjen e shumëpritur të Këshillit Kombëtar, nga ku doli Kryesia e re e PD-së, nuk u realizua ajo çfarë shumica e demokratëve prisnin të ndodhte: Analiza e rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit. Berisha u mjaftua me një fjalim të tijin, në të cilin radhiti sipas mënyrës së tij sukseset e vendoreve, vlerësoi masivitetin në këto zgjedhje si një besim të qytetarëve ndaj qeverisë, triumfoi më fitoren e dyshimtë në Tiranë, u prek me shifrat që nuk tregojnë domosdoshmërisht atë çfarë tha kryeministri, pikërisht pse vendoret nuk janë zgjedhje politike dheasnjë fjalë përse humbi në disa nga bashkitë tradicionale të së djathtës, pse koalicioni PD-LSI doli dhjetë vota pas PS-së në Tiranë (pa hyrë në atë çfarë ndodhi më pas në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor), çfarë çaloi dhe çduhej bërë më mirë, kush humbi, gaboi dhe kush triumfoi. Të gjitha këto pyetje mbetën pa përgjigje pas fjalës së Berishës të cilit i munguan kritikat e Mustafajit, Biberajt Oketës e ndonjë tjetri, por u ngroh nga duartrokitjet e Yes Man-ëve të futur rishtaz në Kryesinë e partisë.
Javët e fundit, media më së pari, është marrë kaq shumë e ka komentuar jo pa të drejtë, atë se çfarë po ndodh me dy figura të rëndësishme të Partisë Socialiste, siç janë Andis Harasani dhe Kastriot Islami; sot, praktikisht jashtë selisë rozë, për arsye që dihen dhe që nuk ndryshojnë shumë nga ato të cilat shtjelluam më lart mbi selinë blu. Por, nga ana tjetër, kurrkush nuk kujtohet të komentojë atë se çfarë ka ndodhur me Oketën, Biberajn, Mustafajin dhe Stringën në PD; të gjithë emra me peshë në radhët e demokratëve, dy prej të cilëve (Mustafaj dhe Oketa) kanë qenë pjesë e kabinetit Berisha me poste shumë të rëndësishme, sot janë jashtë forumeve të partisë, e ndoshta politikisht të eleminuar e pa të ardhme në selinë blu. Pas konstituimit të Kryesisë së re të PD-së, ky është një element i cili vlen të komentohet, duke qenë se partia në pushtet dhe njerëzit që drejtojnë vendin duhet të marrin vëmendjen më të madhe për çka ndodh pas kuintave.
E ardhme e ndritur në selinë blu po projektohet për Lulzim Bashën, kryebashkiakun e ri të Tiranës dhe njeriun më të votuar në PD për anëtar të Kryesisë. Fitorja në zgjedhjet e 8 majit duket se i ka dhënë atij një mbështetje të madhe, duke e renditur atë përpara figurave të vjetra e me kontribute në parti si Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode. Shumë e shikojnë këtë ngjitje të shpejtë të Bashës në PD (është pjesë e partisë nga viti 2005) si një ogur të mirë drejt rrugës për të marrë edhe kryesimin e partisë pas Berishës. I dyti ndër më të votuarit është beniamini tjetër i kryetarit demokrat, ish kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës katër vjet më parë, Sokol Olldashi me 12 vota më pak se Basha. Topalli është renditur në vendin e pestë, ndërsa sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode, i nënti. Para tyre, Aldo Bumçi, i sapoemëruar ministër, Bujar Nishani e Astrit Patozi, pjesë e rrethit të ngushtë të kryetarit Berisha, të cilët ia detyrojnë pikërisht atij karrierën e deritanishme politike. Në konfigurimin e ri të Kryesisë duket qartë se Berisha ka dashur të mbajë pranë vetes njerëz më të besuar, të rinj, që i detyrohen gjithçka atij dhe që kanë kontribuar në fitoren e Bashës në kryeqytet, duke përjashtuar disa figura historike të partisë. Një tjetër figurë historike e PD-së si Leonard Demi ka mbetur jashtë fo