E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plepolli nënshkruan me Alluminju

Ish futbollisti i Drenicës, Arsim Plepolli ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi me klubin Alluminju, që garon në Ligën e Dytë të Iranit. Plepolli ka arritur marrëveshje me zyrtarët e Alluminju, pasi ka treguar formë të mirë gjatë njëzetepesë ditëve sa është testuar në këtë skuadër.

Sipas Plepollit, Alluminju objektiv kryesor ka në fund të sezonit të inkuadrohet në elitën e futbollit iranian, synim ky që e ka shtyrë kosovarin ta pranojë ofertën. Kam nënshkruar kontratë njëvjeçare me Alluminju. Gjatë provave luajta në tri ndeshje miqësore dhe arrita ti shënoj katër gola. Me këtë rast, trajneri kroat i ekipit ishte këmbëngulës për të më mbajtur në ekip, ka deklaruar Plepolli për Express.

Pranova të nënshkruaj kontratë sepse më ofruan kushte shumë të mira. Arsye tjetër është se skuadra është shumë serioze dhe profesioniste. Jemi në vendin e parë në tabelë, pasi kemi shënuar katër fitore dhe një barazim në pesë ndeshjet e para. Edhe për shkak të trajnerit vendosa të rri, sepse ai është kroat dhe kuptohem lehtë me të. Po ashtu, menaxheri im boshnjak më sugjeroi të nënshkruaj kontratë, theksoi mesfushori.

Për këto arsye, Plepolli tha se i ka refuzuar disa oferta të tjera nga klubet iraniane, përfshirë edhe ato të ekipeve të Ligës së Parë. Ai tregoi se në fundjavën e ardhshme do ta zhvillojë ndeshjen e tij të parë zyrtare me Alluminju.

Deri tash nuk kam pasur të drejtë loje. Në fundjavë do ta luaj ndeshjen e parë. Besoj se do të zë vend në ekipin e parë. Trajneri është i kënaqur me mua, sepse po mund të luaj në disa pozita: mesfushor i majtë, mesfushor i djathtë, në qendër dhe mbrapa sulmuesve. Ekipi ynë është cilësor dhe e meriton të luajë në Ligën e Parë, përfundoi Plepolli i cili do ta bartë fanellën me numër 27 të kësaj skuadre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›