E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikon pensionimin

Lëndimi i pësuar në ligamentet e nyjës së këmbës së djathtë, përpos anulimit të meçit të shumëpritur me rusin Alexander Dimitrenko, që ishte paraparë të zhvillohej më 28 nëntor, mund ti kushtojë Luan Krasniqit me përfundim të karrierës.

Një gjë është e sigurt: boksieri kosovar nuk do të boksojë në vitin 2009, por ai i druhet më të keqes - përfundimit të detyrueshëm të karrierës. Unë kam shpresë për një mundësi tjetër në vitin 2010. Por, gjithashtu e pres edhe më të keqen, theksoi 38 vjeçari për tabloidin gjerman Bild.

Edhe pse ky pritej të ishte viti i tij i rikthimit, Krasniqi, që ka pasaportë gjermane, nuk pati fat. Edhe Universum Box-Promotion ka rënë në hall të madh, ngase duhet të luftojë që ta gjejë një çift tjetër për ta zhvilluar një meç në Oberhausen më 28 nëntor në vend të atij Krasniqi-Dimitrenko, i cili tashmë është anuluar.

Në atë natë, ZDF do të përqendrohej tek kjo luftë. Por, ne duhet ta anulojmë atë. Do të mundohemi ti transmetojmë luftërat tjera të Sartison Alekseev etj, ka thënë menaxheri i Universum, Dietmar Poszwa.

Luan Krasniqi kishte pësuar lëndim të hënën në ligamentin e kyçit të këmbës së djathtë tek po bënte stërvitje. Më pas kam provuar të stërvitem të martën dhe të mërkurën, por në realitet nuk shkoi mirë. Unë duhet të jem 100 për qind në formë, para se të futem në ring. Për momentin jam totalisht në depresion. Kjo luftë është më shumë se e rëndësishme për mua, theksoi Krasniqi i cili në karrierën e tij profesioniste pati 35 meçe, prej tyre 30 fitore, 4 humbje dhe 1 barazim.

Kjo do të ishte lufta e tij vendimtare për karrierën e bujshme. Një humbje do ta detyronte atë ta përfundonte karrierën, ndërsa fitoren e konsideronte të rëndësishme për ta vazhduar luftën për titull të kampionit të botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›