E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pleqëria vonon

Derisa një punëtor i moshës së shtyrë shkruan emrin e mbiemrin e klientit me gishtin tregues të dorës së djathtë, radhët e njerëzve që presin përpara sporteleve të Komunës së Prishtinës për të rregulluar ndonjë dokument civil, sa shkojnë e rriten. Kah mesi i ditës ato duken të pafundme.

Për këtë, gjatë fushatës parazgjedhore për vitin e kaluar, mes tjerash kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka premtuar reformë të stafit administrativ dhe të bëjë pranimin e punonjësve të moshës së re dhe të përgatitur profesionalisht.

Organizata INPO në raportin e nxjerrë javë më parë, për arritjet e kryetarit Mustafa në periudhën janar- prill të këtij viti, këtë premtim e ka vlerësuar me notën 0. Kjo notë tregon se asnjë përpjekje ose angazhim konkret nuk është bërë në realizimin e këtyre fjalëve që janë bërë gjatë fushatës së fundit, për kryetar komunash.

“Premtoj se do t’i vazhdoj reformat në administratën komunale. Do ta përgatis
administratën për të realizuar lehtësisht Ligjin për kryeqytetin”, pati thënë Mustafa gjatë kohës së fushatës. Por ky mbeti vetëm një premtim.

Se stafi i Komunës nuk është i përgatitur sa duhet për kryerjen e punëve që kanë, mendon edhe Arjana Nivokazi, qytetare e Prishtinës.

“Mosha e tyre e shtyrë dhe aftësitë e tyre për punë me kompjuter janë tejet të ngadalshme, që ngadalëson procedurën, çfarëdo qoftë ajo”, tregon Arjana, e cila pohon se javë më parë ka qenë e detyruar të presë me orë të tëra për të marrë një certifikatë të lindjes.

Por kjo nuk ishte e vetmja kritikë që Arjana bëri për punonjësit e sporteleve në komunë. Sipas saj, ndonjëherë edhe sjelljet e këtyre punëtorëve në moshë nuk janë korrekte.

“Lëre që janë shumë të ngadalshëm në punë, por edhe dinë të bërtasin me fajin e tyre. Ndodh që edhe ofendojnë me fjalë”, shprehet e shqetësuar ajo.

Sjelljen e punonjësve në sportelet e Komunës ndaj qytetarëve, më së miri e arsyeton skandali që ka ndodhur muaj më parë, kur njëra ndër punëtoret pati kapur për flokësh një grua, e cila priste për dokumentet e saj.

E, nuk janë vetëm qytetarët që shprehin shqetësime për këtë. Në të gjitha mbledhjet që Kuvendi Komunal ka mbajtur, nuk kanë munguar kritikat e opozitës në adresë të kryetarit të Komunës së Prishtinës për çështje të ndryshme që e karakterizojnë këtë komunë, duke përfshirë edhe reformimin e stafit.

Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar nga radhët e PDK-së, thotë se reformimi i stafit në Komunë ka qenë edhe njëra ndër çështjet e krahasuara si thembër Akili në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Nuk po them në aspektin gjeneral që të bëhet pastrimi komplet i atyre njerëzve dhe të mbeten pa kafshatën e gojës. Mirëpo, kemi kërkuar që të bëhen trajnime në raport me këta punëtorë të moshës më të shtyre”, shpjegon Veseli për Express.

Mirëpo, ai mendon se herët apo vonë administrata duhet të ndërrohet dhe t’u hapë rrugë të rinjve, edhe pse shumë punëtorë mbesin pa punë.

“Duhet të mendohet për Ligjin e Prishtinës, i cili parasheh një decentralizim. Kjo punë kërkon një ekip shumë të përgatitur dhe me energji”, sqaron Veseli.

Ai thotë se nuk e di arsyen pse Komuna i mban këta persona të moshuar në punë.

“Megjithatë, mendoj që kryetari i ka njerëz më të besueshëm dhe janë më të dëgjueshëm përballë zyrtarëve”, përfundon Veseli.

Ndërkaq, sipas Muhamet Gashit, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, stafi i cili punon aty është i përgatitur, sepse është trajnuar në fusha të ndryshme.

“Por, Komuna e Prishtinës ka shkurtime sa i përket punësimit, madje është e obliguar që çdo vit të zvogëlojë numrin e shërbyesve civilë në Komunë”, thekson Gashi për Express.

Sipas tij, Komuna detyrohet të jetë e mëshirshme ndaj këtyre punëtorëve, edhe pse ata janë në moshë të shtyrë.

“Ata do të presin derisa t’i plotësojnë kushtet për pensionim, sepse është e pamundur t’u mohohet e drejta e punës dhe të pensionohen para kohe”, shpjegon Gashi.

Sidoqoftë, që nga periudha e marrjes së pushtetit, e deri sot, kryetari Mustafa nuk ka menduar për realizimin e këtij premtimi. Derisa ai të vendosë për reformim të këtij stafi, qytetarët janë të detyruar të presin gjatë për shërbimet komunale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›