Hannoveri e suspendon Lalën

Ish përfaqësuesi shqiptar të hënën ishte fjalosur me ndihmës trajnerin Düwel Norbert, gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në stërvitje. Slomka e ka dënuar për mosdisiplinë veteranin shqiptar të futbollit, i cili nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë me pjesën tjetër të ekipit.
Lala i ka kërkuar falje shtabit teknik dhe ekipit për gjestin që bëri, por kjo nuk i mjaftoi. Ai do të ushtrojë individualisht deri të hënën e ardhshme dhe nuk do të jetë pjesë e të ftuarve për ndeshjen e Europa League, të cilën ekipi kuqezi do ta zhvillojë të enjten ndaj FC Bruges dhe të dielën në shtëpi ndaj Stuttgartit në Bundesligë.
Lala i kishte thënë ndihmës trajnerit Norbert: ‘Mjaft, nuk dal nga loja’, pasi ky i fundit e kishte suspenduar me dy minuta jashtë lojës për shkak të ndërhyrjeve të ashpra që kishte bërë mesfushori shqiptar.