Kukësi, leksion Besës, kap Europën
Kukësi e Laçi vazhdojnë të habisin një Shqipëri të tërë. Dy skuadrat fituan edhe ndeshjet e prapambetura të javës së 10-të, duke thyer përkatësisht Besën e Tomorin dhe duke qenë menjëherë pas Skënderbeut kampion që kryeson Superligën. Më e thellë dhe më e vështirë fitorja e skuadrës së trajnerit shkodran Armando Cungu, që theu 3-0 Besën në Kukës, duke mos e vënë aspak në diskutim fitoren për asnjë moment. E përforcuar me lojtarë me përvojë të kampionatit dhe me të huaj, skuadra vendase shënoi radhazi me anë të kroatit Biskup në pjesën e parë dhe pastaj me anë të Popoviçit e Prognit në të dytën. Ky sukses i radhës është mjaft domethënës për kuksianët, sepse janë të dytët në klasifikim tashmë, duke parakaluar Teutën e Durrësit. Me 18 pikë të grumbulluara në 10 javë kampionat, debutuesit në Superiore janë ndjekësit më të afërt të Skënderbeut. Të pamposhtur në kampionat, verilindorët e Armando Cungut i pret një provë tepër e vështirë në fundjavë. Pikërisht ndeshja me Flamurtarin, që do të thotë shumë për vijimësinë dhe potencialin real të kësaj skuadre.
Në Laç vendësit arrijnë me shumë mundim të marrin një trepikësh ndaj Tomorit të Beratit, skuadër kjo e cila mbetet në fundin e renditjes. Vucaj është strumbullari i mesfushës laçiane, nga këmbët e të cilit kalojnë të gjitha aksionet, ndërkohë që në sulm është mjaft aktiv Emurllai. Beratasit shtrëngojnë radhët në prapavijë për të mos pësuar, ndërkohë që tentojnë përmes pasimit të gjatë të gjejnë Milen, në majën e repartit ofensiv. Në fillim ishin vendësit që kaluan në avantazh me anë të Hotit, por në përfundim të pjesës së parë, Mile barazoi. Në fraksionin e dytë te lojës Shazivari dhe Vucaj trefishojnë për Laçin, ndrysa Arbri shkurton diferencën me anë të një penalltie. Nuk mbaron këtu, Hoti sërish shënon për kurbinasit, ndërsa Shinko vulos goleadën dy minuta nga fundi.
Java e 10-të
TË SHTUNËN
Luftëtari-Kastrioti 2-0
Licaj 2′, Çaço 35′
Apolonia-Teuta 1-2
Ndoni 29′/ Xhafaj 61′, 69′
Bylis-Shkumbini 2-0
Izuçuku 26′, Idrizi 60′
Vllaznia-Tirana 0-1
K.Duro 80′ (p)
DJE
Laçi-Tomori 4-3
Hoti 22′, 84′, Shazivari 48′, Vucaj 64′/ Mile 43′, Arbri 75′ (p), Shinko 88′
Kukësi-Besa 3-0
Biskup 7′, Popoviç 70′, Progni 74′
MË 21 NËNTOR
Skënderbeu-Flamurtari 17:00Superiorja
Renditja
Nr. Ekipi ND P
1. Skënderbeu 9 21
2. Kukësi 10 18
3. Laçi 10 17
4. Teuta 10 17
5. Tirana 10 16
6. Bylis 10 15
7. Vllaznia 10 15
8. Besa 10 15
9. Flamurtari 9 12
10. Kastrioti 10 12
11. Luftëtari 10 10
12. Shkumbini 10 7
13. Apolonia 10 5
14. Tomori 10 4
Kategoria 1/ Partizani, sa vuajtje për një pikë!
Partizani vuan pa fund, por arrin të marrë një barazim ndaj Himarës në sekondën e fundit të ndeshjes. Takimi i luajtur në fushën asnjanëse të Sarandës ka nisur i tensionuar dhe është luajtur e tillë. Në fillim gjyqtari nxjerr me të kuq trajnerin e Himarës për shkak të ofendimeve ndaj tij për një rast të diskutueshëm për penallti. Më tej janë të kuqtë që rrezikojnë me Brahon, por gjirokastriti humbet një rast të artë për gol. Në pjesën e dytë vendësit tentojnë të shikojnë më shumë nga porta kundërshtare dhe në minutën e 75-të, Veshaj shënon duke shokuar të kuqtë. Fundi është dramatik, teksa kryesori akordon tetë minuta shtesë për ndërprerje të lojës. Dhe kur pritej vërshëllima e fundit e tij, Pashaj godet nga distanca duke barazuar 1-1. Ndërsa në ndeshjen tjetër të luajtur po dje, Mamurrasi ka mundur Adën 3-1 duke marrë tashmë vendin e dytë në renditjen e Kategorisë së Parë. Golave të Malajt, Selacit dhe Metajt iu kundërpërgjigj vetëm Doçi.