Plumba kokës emigrantit shqiptar, dyshohet për larje hesapesh
Kaos në qendër të Athinës, për shkak të kriminalitetit që sa vjen e rritet. Mëngjesin e djeshëm, brenda më pak se gjysmë ore, dy persona gjetën vdekjen nga plumbat. Policia tha se njëri prej tyre ishte emigrant shqiptar, që u identifikua më pas si Kastriot Nikolli, nga Mirdita. Sipas mediave greke, 38-vjeçari punonte si shitës në një kinkaleri. Ngjarjes së vrasjes së shqiptarit i ka paraprirë një tjetër që ndodhi rreth orës 08.15. Policia greke tha se një makinë me dy persona në të kishte qëndruar në Kifiso. Mesa kuptohet tashmë personat i kishin zënë pritë një 30-vjeçari, të cilin e qëlluan me katër plumba. Edhe pse ambulanca, e thirrur nga banorët, e ka dërguar me urgjencë në spital, bluzat e bardha kanë konfirmuar atje vdekjen e të riut. Disa minuta më vonë, në kryqëzimin e rrugës Aharnon dhe Olimbias në Agjio Pandeleimona, ndodhi një tjetër vrasje me viktimë një emigrant shqiptar. Kjo ngjarje ndodhi në orën 08.44. Po sipas policisë greke, një makinë kishte ndaluar përpara një kinkalerie, nga e cila ishte parë të dilte një person i armatosur, i cili e qëlloi me plumb në kokë pa i thënë asnjë fjalë shitësit 38-vjeçar shqiptar, që pas disa orësh u identifikua si Kastriot Nikolli. Edhe pse ambulanca shkoi në vendngjarje, 38-vjeçari emigrant kishte vdekur. Policia tha se dyshohet që të dyja vrasjet që ndodhën në Athinë kanë si motiv larjen e hesapeve.
#