E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidington: Nuk ka radhë për hyrjen në BE

Qeveria e Britanisë së Madhe mbështet eurointegrimin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa i ka kërkuar BE-së që kjo e fundit të marrë përsipër përgjegjësitë e veta për perspektivën europiane të këtij rajoni. Ministri britanik për Europën, Dejvid Lidington, i tha dje radiotelevizionit gjerman, “Dojçe Vele”, se perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor është nxitje për promovimin e reformave politike dhe ekonomike në vendet e këtij rajoni. Sipas tij, BE-ja duhet t’i mbështesë qartë dhe konkretisht përpjekjet eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por në të njëjtën kohë ajo duhet të insistojë për përmbushjen nga ana e këtyre vendeve të të gjitha kushteve të përcaktuara.

“Ne mbështesim me konsekuencë ambiciet e Serbisë për anëtarësimin e saj në BE, ndërsa sa i përket i Kosovës, ne do të presim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës”, theksoi ky ministër kryesor i qeverisë së Dejvid Kameronit, ndërsa vuri në dukje qartë se Londra tanimë e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk ka më kthim tek e vjetra”. Ai shprehu shpresën se, sidoqoftë, mbas shpalljes së mendimit nga ana e GJND-së për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të arrihet deri te dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjet e rëndësishme praktike për qytetarët e thjeshtë. Ministri Lidington nënvizoi se është mjaft realist që të presë çudira të tilla si, për shembull, që Serbia, një ditë mbas shpalljes së mendimit të GJND-së, të njohë Kosovën dhe të dërgojë ambasadorin e vet në Prishtinë.

Ministri britanik për Europën gjithashtu theksoi se stabiliteti dhe demokracia në Ballkan nuk janë diçka që ndodhin vetvetiu, por se për to duhet të punohet. Incidentet e fundit në Mitrovicën e Veriut, tha Lidingtoni, përbëjnë një shembull tjetër sesa e ndjeshme është situata në rajon, ndërkohë që ajo nuk është më e mirë as në Bosnjë-Hercegovinë dhe as në Maqedoni. “Për këtë arsye, shtetet e BE-së duhet të marrin mbi vete përgjegjësitë përkatëse dhe t’i mbështesin vendet ballkanike në rrugën e tyre drejt integrimit europian, kurse këto vende, nga ana e tyre, duhet të kryejnë reformat e domosdoshme dhe të gjejnë mënyrat për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të ndërsjella. Sa i përket radhës së hyrjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ai tha se lidhur me këtë nuk ka asnjë radhë konkrete dhe se as që do të ketë, sepse secili vend do të avancojë drejt anëtarësimit me atë shpejtësi me të cilën do të përmbushë kriteret e përcaktuara. “Sidoqoftë, duket qartë se Kroacia është përpara në këtë rrugë në krahasim me vendet fqinje të saj”, theksoi Lidingtoni.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›