E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Konomit, policia pyeti 65 persona

Familjarë e miq të 42-vjeçarit, si dhe të pranishëm në skenën e krimit kanë shpjeguar gjithçka dinin për ngjarjen

Më shumë se 65 persona janë pyetur nga Policia e Tiranës gjatë tri ditëve të hetimeve intensive për vrasjen e 42-vjeçarit Franc Konomi. Burime policore thanë për gazetën “Shqip”, se personat e marrë në pyetje ishin familjarë e miq të Konomit, si dhe të pranishëm në skenën e krimit pranë sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë, ku edhe ndodhi vrasja. Po sipas policisë, disa janë pistat e hetimit, ku më kryesoret janë ato të ekzekutimit për hakmarrje, pazare të prishura të trafikut të lëndëve narkotike, apo dhe gjobëvënie. Franc Konomi, një personazh i njohur në kryeqytet, u qëllua me armë zjarri katër ditë më parë, teksa po nxirrte makinën nga parkimi. Viktima jetonte prej vitesh në Gjermani, por sipas policisë ai herë pas here vinte në Tiranë.

Në organet e rendit ka pasur disa herë njoftime për kërcënime të ardhura nga Franc Konomi ndaj biznesmenëve të ndryshëm, të cilëve u kërkoheshin shuma të mëdha parash deri në 100 mijë euro, por asnjëherë këto nuk u vërtetuan, pasi 42-vjeçari ishte mjaft i kujdesshëm në veprimet e tij, e madje sipas policisë ai ishte truri i grupit kriminal që punonte për të. Edhe pse hetimet për vrasjen e Konomit kanë qenë mjaft intensive, policia nuk ka ende ndonjë person konkret të dyshuar si autor i vrasjes së “të fortit” të zonës pranë rrugës “Qemal Stafa”.

Që nga momenti kur ndodhi vrasja, e deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia ka pyetur shumë persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Por ende nuk ka asnjë provë konkrete që do të çojë në zbulimin e emrave të personave të dyshuar. Kjo e ka detyruar grupin hetimor që të hetojë për një sërë ngjarjesh të pazbardhura deri më sot. Policia ka ngritur një grup pune, duke filluar që nga ekspertët e hetimit të krimeve të rënda, deri tek ata të krimit të organizuar. Në këto kushte, dosja për ngjarjen mafioze zë fill që në vitet ‘90. Grupi hetimor u është rikthyer nga e para dyshimeve, duke pyetur edhe të gjithë miqtë e Konomit, për të cilët mendohet se dinë shumë të dhëna. Veç fakteve të dala një ditë më parë, policia ka zbardhur edhe disa dyshime të tjera, që kanë të bëjnë me një vrasje në Greqi. Sipas të dhënave hetimore, në fillimet e viteve ‘90, Franc Konomi është arrestuar në Greqi për një vrasje. Në atë kohë ai arriti të arratiset nga burgu i Greqisë, kur ishte ende djalë i ri dhe emigroi në Gjermani. Por, meqë ishte skeduar nga drejtësia helene, shumë shpejt u bë identifikimi i tij në Gjermani dhe u arrestua për llogari të shtetit grek. Ai u ekstradua nga autoritetet gjermane dhe për një kohë qëndroi në paraburgim, derisa u shpall i pafajshëm. Me marrjen e këtij vendimi, Konomi u largua sërish drejt Gjermanisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›