E Shtunë, 31 Tetor 2026

Svoboda: Qeveria të bëjë disa hapa përpara

Kryeministri takon eurodeputetin e majtë: Do të bashkëpunojmë me opozitën

Një nga drejtuesit e grupit socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hans Svoboda, ka kërkuar dje që qeveria shqiptare të marrë iniciativën për të zgjidhur krizën. Eurodeputeti i njohur austriak, që mbulon çështjet e Ballkanit, si gjatë një interviste nga Strasburgu ashtu edhe gjatë një takimi me Kryeministrin Berisha në Dubrovnik, ka bërë të ditur se kriza nuk ka përfunduar.

Takimi me Berishën

Zv.presidenti i grupit socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, u takua në Samitin e Dubrovnikut me Kryeministrin Sali Berisha. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, kreu i qeverisë shqiptare i ka rikonfirmuar zv.presidentit Svoboda vullnetin për të zbatuar rezolutën në bashkëpunim të ngushtë me opozitën për të përshpejtuar integrimin europian. Kryeministri Berisha e falënderoi zv.presidentin Svoboda për miratimin e rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe angazhimin e grupit socialist në Parlamentin Europian për të inkurajuar integrimin europian të Shqipërisë.

Deklarata

Kërkesa e opozitës për transparencën e zgjedhjeve po përforcohet në vijimësi nga zëra të njohur të së majtës europiane. Në një intervistë të përcjellë dje nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, nënkryetari i grupit socialist e demokrat në PE, Hannes Svoboda, ka riprodhuar pjesë të rezolutës së Parlamentit Europian, për t’i bërë apel qeverisë shqiptare në marrjen e përgjegjësive për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. “Unë nuk mendoj se kriza ka përfunduar. Natyrisht që hapi që ka ndërmarrë Partia Socialiste duke shkuar në Parlament për të punuar, është një hap i rëndësishëm, por siç thotë një fjalë, duhen dy vetë për të kërcyer tango. Unë mendoj se edhe qeveria duhet të bëjë disa hapa përpara, por ajo çka na intereson ne nuk është që të akuzojmë njërën ose tjetrën palë. Këtë po ua lë ta bëjnë disa anëtarë të Parlamentit Europian nga ana e PPE, të cilët për fat të keq u angazhuan në një mbrojtje të njëanshme të qeverisë”, tha Svoboda. Ai ka bërë kështu një thirrje publike në emër të së majtës europiane, e cila sheh te Sali Berisha njeriun e zhbllokimit të situatës që vijon prej një viti. Ajo që ka rëndësi në mesazhet e europarlamentarëve të majtë lidhur me krizën shqiptare, është se tani ekzistenca e saj, pasojat dhe opsionet e zgjidhjes, janë të njohura në rrugë institucionale e madje të përfshira në një dokument të posaçëm. Brenda kësaj logjike do kuptuar ndoshta edhe nënteksti i prononcimit të Svobodës lidhur me qëndrimet e shprehura në Tiranë apo Strasburg nga europarlamentarë të së djathtës. Sa u përket hapave të mëtejshëm, ai ka bërë të ditur se kriza shqiptare ka monitorim të plotë dhe se deri në zgjidhjen e saj puna dhe ndërmjetësimi nuk do të ndërpriten. “Unë po punoj me kolegët nga social demokratët që të dyja palët, qeveria dhe opozita të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, që të ulen së bashku, të krijojnë këtë komision për të cilin ranë dakord, ku opozita socialiste do të ketë shumicën dhe kryetarin”, është shprehur nënkryetari i grupit socialist e demokrat në PE, Hannes Svoboda. Sidoqoftë momenti aktual politik për pozitën, opozitën, , mesazhi kryesor i PE-së ka qenë arritja e një kompromisi në funksion të reformave në vend. Kriza do të duhet të zgjidhet nga shqiptarët dhe kjo është nënvizuar nga europarlamentari i majtë. “Njëri mesazh është që duhet të vazhdojnë reformat e ndryshme në vend, lufta kundër korrupsionit, më shumë transparencë, legjislacioni që lidhet me liberalizimin e vizave. Kurse mesazhi tjetër padyshim është që të tejkalohet kriza e brendshme në vend, që qeveria dhe opozita duhet të përpiqen të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, sidomos nëse kemi parasysh zgjedhjet e ardhshme vendore, që të paktën një herë të kemi zgjedhje të cilat të mund të quhen nga të gjitha palët të lira, të ndershme dhe transparente. Këto janë mesazhet kryesore të Parlamentit Europian”, tha Svoboda në një deklarim që përcjell njohjen e mirë të realitetit shqiptar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›