E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba mbi 23-vjeçarin, kërkohen autorët

TIRANE- Pas një sherri banal mes të rinjsh në një lokal në Laprakë, një 23-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur orëve të së mbrëmshmes, ndërsa mësohet se Artur Shabani 23 vjeç është qëlluar me një armë automatike, kurse sipas të dhënave nga dëshmitarët e vendit të ngjarjes, autorë të kësaj plagosjeje janë dy të rinj të tjerë. Policia i ka shpallur në kërkim djemtë, pasi emrat e tyre janë treguar nga banorët e lagjes në të cilën ndodhi plagosja, ndërsa Shabani është nisur menjëherë për në Spitalin Ushtarak, ku bëhet me dije se është jashtë rrezikut për jetën. Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se pas verifikimeve të para në vendin e ngjarjes dhe dëshmive të disa personave, është mësuar se orëve të pasdites ka pasur një sherr mes disa të rinjsh në zonën e ish-Kombinatit "Josif Pashko", sherr që mësohet se është evituar nga kalimtarë të rastit. Pjesëtarët e sherrit janë ndarë e për pasojë, Artur Shabani është larguar për në një kafene në lagjen e tij. Mirëpo rreth orës 20:15 minuta, në vendin ku pinte kafe 23-vjeçari kanë mbërritur dy personat, njëri prej të cilëve edhe i armatosur, që për dëshmitarët, arma e tij ishte e llojit automatik. Ka qëlluar mbi të dhe më pas i shoqëruar edhe nga shoku i tij është larguar në drejtim të paditur. Policia i ka shpallur në kërkim, ndërkohë që po heton motivin e plagosjes.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›