E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumba në Zveçan, vritet polici i EULEX, Ashton: Të kapen përgjegësit

ZVEÇAN– Një pjesëtar i EULEX-it është vrarë sot në mëngjes në territorin e komunës së Zveçanit, bën të ditur agjencia “Beta” e Beogradit. Mësohet se makina e EULEX-it është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Plumbat kanë prekur në kokë dhe në bark policin nga Lituania me iniciale A.S.

Si pasojë e sulmit janë plagosur edhe dy policë të tjerë, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e KFOR-it dhe njësitë speciale të EULEX-it. Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, pa dhënë detaje shtesë. 

EULEX-i KONFIRMON VDEKJEN E PJESËTARIT TË SAJ
EULEX-i konfirmoi se të enjten rreth orës 7:30, dy automjete të EULEX-it, me të cilat udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit.
Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. Task-Forca Mitrovica është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar.

Zona përreth është bllokuar, ndërsa thuhet se do të bëhet çmos për t’i sjellë autorët e kësaj vepre përpara drejtësisë. EULEX-i e dënon fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarit të tij.

“Ne i bëjmë apel komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që din ndonjë gjë lidhur me këtë incident që të paraqiten dhe të na kontaktojnë në numrat e telefonit 00381 38 78 5555 ose 00381 38 78 5556. EULEX-i i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit”, thuhet në komunikatën e EULEX-it. 

ASHTON
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Catherine Ashton ka reaguar menjëherë rreth vrasjes së policit të EULEX-it në Zveçan.

"Jam shumë e prekur nga vdekja e pjesëtarit lituanez të EULEX-it në Kosovën veriore këtë mëngjes. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen dhe miqtë e viktimës. E dënoj në mënyrën më të fuqishme sulmin që çoi drejt vdekjes së pjesëtarit të EULEX-it. Përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë", ka thënë Ashton.

Baronesha tha se Bashkimi Europian është i përkushtuar për të vazhduar angazhimin për Kosovën dhe do të punojë në çështjen e dialogut.

"U bëjë thirrje të gjitha palëve që të implementojnë marrëveshjet e arritura për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovën Veriore", thuhet në reagimin e Ashton. 

JAHJAGA
Presidentja Atifete Jahjaga dënoi sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në afërsi të Zveçanit, që la një të vdekur dhe dy të plagosur.

"Ky sulm ndaj EULEX'it, mision ky i cili bënë përpjekje të pareshtura krahas institucioneve të tjera të sigurisë të vendosin rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës", thuhet në reagimin e Presidentes.

Sipas Presidentes Jahjaga, sulmi ndaj EULEX-it është sulm ndaj vlerave të shtetit të Kosovës.

"Sulmet e këtilla mbi praninë ndërkombëtare në Kosovë, në një periudhë të përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve komunale, që synojnë gjithëpërfshirjen, janë përpjekje për të krijuar klimë të pasigurisë dhe të frikës".

Njëherazi, Presidentja Jahjaga i ka telefonuar shefit të EULEX-it, Bernd Borchardt, për të shprehur ngushëllimet e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për vrasjen e kolegut të tyre.

THACI DENON SULMIN
Kryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it.

"Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës", thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria ka kërkuar nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it.

AMBASADORJA JACOBSON: JAM E TRONDITUR
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.

“Jam e tronditur me sulmin ndaj EULEX-it në veri, këtë mëngjes, dhe e trishtuar me humbjen e jetës”, - ka shkruar Jacobson në “Twitter”.

MINISTRJA VLORA E TRONDITUR
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku u shpreh se ështe tronditur me lajmin për vrasjen e një polici të EULEX-it në Veri të Kosovës.
Nëpërmjet Twitter-it, Çitaku ka shkruar se sulmet ndaj personelit të EULEX-it janë të papranueshme dhe është lutur për shërimin e policëve tjerë të plagosur. 

"Ne lutemi për shërimin e shpejt të dy oficerëve të plagosur", shkruan ajo.

(er.nu/d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Sulmi ndaj EULEX-it, Thaçi: Autorët të nxirren përpara drejtësisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›