E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi takon Bushatin: Statusi kandidat është i arritshëm. Ta kthejmë murin në urë

TIRANE – Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi shpreh besimin se statusi i vendit kandidat është i arritshëm dhe i mundshëm brenda këtij viti. 

Në një deklaratë për mediat në përfundim të takimit me ministrin e Jashtën Ditmir Bushati, ambasadori Sequi theksoi se “rruga drejt BE-së është po ashtu rruga drejt gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë faktorëve në vend, për ta kthyer murin në urë.”

“Fjalët e presidentit Barroso ishin tepër të qarta. Eshtë vërtet fakt që kjo arritje historike është e mundshme dhe e arritshme. Eshtë angazhimi dhe përkushtimi i të gjithëve që kjo të bëhet e vërtetë”- deklaroi ambasadori.

Duke e cilësuar si një sukses të madh vizitën e parë të kryeministrit Rama në Bruksel, ambasadori Sequi theksoi se delegacioni shqiptar u dha mundësi institucioneve të BE-së që të mësonin për programin dhe për përkushtimin e qeverisë së re për integrimin e Shqipërisë në BE”.

Ndër të tjera, ambasadori Sequi i shprehu mbështetjen ministrit të ri Ditmir Bushati. 

“Roli i ministrit të jashtëm është një rol tepër kyç dhe thelbësor në çdo vend europian dhe ne jemi tërësisht të angazhuar që të japim mbështetjen tonë që ky rol të jetë i suksesshëm.”- vijoi ai. 

BUSHATI: INTEGRIMI, PRIORITET KYÇ. DO PLOTËSOJMË STANDARDET DHE KRITERET E MBETURA
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehu vendosmërinë e qeverisë së re për plotësimin e standardeve dhe kritereve të mbetura, në bashkëpunim me opozitën, në mënyrë që mund të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

“Për qeverinë në të cilën unë shërbej çështja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim përbën një ndër prioritetet kryesore. Rikonfirmova se ne do të vazhdojmë mbi arritjet e ndërtuara nga qeveria e shkuar për të shkuar drejt plotësimit të standardeve dhe kritereve të mbetura, duke treguar sensin gjithëpërfshirës me opozitën”- deklaroi Bushati.

Ndërkohë ministri i Jashtëm bëri të ditur se e informoi ambasadorin Sequi “në lidhje me prioritetet kryesore të politikës së jashtme dhe për qëndrimin e rakorduar që Shqipëria do të vazhdojë të ketë me SHBA dhe BE”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›