Plumba policit në Tiranë, po i dërgonte 30 mln lekë një biznesmeni
Dëfrim Musai, 42 vjeç, punonjës i sallës operative në policinë e Tiranës u qëllua nga dy persona me motor, teksa po transferonte para për llogari të një biznesmeni të njohur në Tiranë. Policia: Atentati s’ka lidhje me detyrën. Dyshohet se autorët kanë pasur si qëllim grabitjen e parave
Tiranë Një efektiv policie, i cili bënte edhe transferta parash për kompani private në kohën e lirë, është plagosur dje në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 13:30 minuta, kur Dëfrim Musai, 42 vjeç, është qëlluar me një plumb në anën e djathtë të kraharorit, ndërsa ishte duke dalë nga automjeti i tij. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe dje pasdite u konfirmua se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Musai është punonjës i Sallës Operative në policinë e Tiranës dhe pak minuta më vonë kishte planifikuar të shkonte në punë. Pak minuta pas sulmit me armë, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Bazuar në dëshmitë e mbledhura rezulton se atentati është kryer nga dy persona, të cilët lëviznin me një motor të vogël. “Ishte pasagjeri në motor ai që qëlloi në drejtim të policit, në kohën që ai hapi derën e makinës”, - i tha policisë njëri prej dëshmitarëve të ngjarjes. Sipas tij, të dy autorët e krimit mbanin skafandra mbrojtëse në kokë dhe dëshmitarët e patën të vështirë të ofronin të dhëna mbi pamjen e tyre. Pas atentatit, zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini tha se ngjarja nuk kishte lidhje me detyrën që kryente Dëfrim Musai. Më pas, burime nga policia thanë se dyshimet më të forta bien mbi një tentativë grabitjeje, pasi autorët kanë qenë në dijeni të punës së dytë që kryente polici 42-vjeçar. Nga hetimet është zbuluar se Musai, përveç detyrës si polic ishte i angazhuar në aktivitet privat, që konsistonte në kryerjen e dërgesave të ndryshme të lekëve mes bizneseve. Ai është goditur ndërsa mbante në dorë një çantë me 3 milionë lekë të reja, të cilat po i dërgonte në destinacion. Pak më lart vendit ku u krye atentati qëndronte një biznesmen i njohur, me inicialet P. A, i cili po priste ardhjen e Musait me paratë e kompanisë së tij në një automjet BMV X5. Policia ka nisur hetimet dhe në kushtet kur atentati është kryer nga dy persona të maskuar, shpresohet që autorët të zbulohen përmes informacioneve operative. Gjatë pasdites së djeshme janë kryer verifikime për të zbuluar personat që kanë qenë në dijeni të kësaj transferte parash. Sipas të dhënave paraprake, Musai prej disa vitesh kryente transferta lekësh për llogari të kompanive të ndryshme në Tiranë, gjatë kohës që nuk ishte në orarin zyrtar të punës. Sa u përket autorëve, ata mundën të largohen nga vendi i ngjarjes, edhe pse goditjen e kryen në një zonë të mbipopulluar me njerëz e fare pranë komisariatit numër 2. Pasditen e djeshme, policia ka nisur marrjen në pyetje të disa personave, të cilët mendohet se mund të kenë dijeni mbi rrethanat në të cilat u krye atentati. Hetuesit kanë nisur të punojnë edhe në mënyrë operative edhe në lidhje me lëvizjet e disa personave të dyshuar dhe me precedentë të hershëm penalë, të cilët dyshohen si atentatorë të mundshëm të policit Musai. Policia ka administruar në vendngjarje dhe dy gëzhoja pistolete, të cilat i kanë kaluar për ekspertim laboratorit shkencor kriminalistik.