Specialistët, apel për gjendjen e muzeumeve në qytetin e gurtë
Interesimi në rritje i komunitetit të banorëve apo grupeve turistike vendase dhe të huaja për pasjen e muzeumeve cilësore në qytetin e Gjirokastrës vazhdon të nxisë edhe specialistët vendas dhe të huaj të muzeologjisë të mbështesin idetë e ndryshme në këtë drejtim. Një ndër muzeologët më të njohur në vendin tonë, Kleanthi Dedi pohon se “rikonceptimi i muzeumeve ekzistuese në qytetin e gurtë apo çelja e muzeumeve të rinj krijon mundësi jo vetëm për zhvillimin e turizmit, por edhe për krijimin e qendrave në të cilat komuniteti, kryesisht brezat e rinj, informohen për zhvillimet historike, sociale etj., në vite”. “Muzeumet shërbejnë edhe si miniarkiva për ruajtjen e materialeve historike, kulturore etj.”, - thotë muzeologu Dedi. Në shumë raste, edhe specialistë të huaj të muzeumeve, të cilët kanë mbërritur në Gjirokastër, kanë kërkuar vendosjen e këtyre muzeumeve në shërbim të turizmit. Aktualisht, në qytetin e gurtë funksionojnë dy muzeume nga shtatë të tillë që kanë qenë përpara viteve ’90. Përfshirja e Gjirokastrës në UNESCO dhe rritja e interesimit të grupeve turistike kanë nxjerrë si domosdoshmëri rikonceptimin dhe përshtatjen me kërkesat e kohës të Muzeut të Armëve dhe Muzeut Etnografik në qytetin e Gjirokastrës. Në këtë drejtim, gjatë viteve të fundit po konstatohen edhe tentativa për çeljen e muzeumeve të rinj, si “Kronikë në gur” në kështjellën e qytetit, muzeu i Luftës së Ftohtë në mjediset e një ish- vendstrehimi luftarak prej betoni të kohës së komunizmit etj. Bledar Shehu