E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 470 kg hashash në Itali, 5 shqiptarë në pranga

Në dy operacione antidrogë, policia ka sekuestruar tonelatat e marijuanës që vinin nga Shqipëria. Sasia më e madhe e drogës ishte fshehur në gomat e një kamioni

Policia italiane ka sekuestruar rreth 310 kg hashash, ndërsa u ka vënë prangat 4 shtetasve shqiptarë të implikuar në trafik. Operacioni është kryer nga karabinierët e njësisë industriale të Acquaviva-s. Policia italiane bën me dije se ka mundur të arrestojë katër shtetasit shqiptarë, Ermion Xheka 22 vjeç, Orgest Verbofshi 27 vjeç, Lulzim Murataj 25 vjeç, Xhovani Saraçi 25 vjeç, si dhe shtetasin italian, Raffaele Miccio 41 vjeç. Karabinierët kishin vënë re një automjet tip ‘Fiat Scundo’, nga i cili kanë zbritur 41- vjeçari italian me dy shqiptarë dhe kanë nisur çmontimin e dy gomave të mëdha. Karabinierët kanë ndërhyrë menjëherë pas dyshimeve dhe kanë vënë re se bëhej fjalë për një sasi të madhe droge e tipit marijuanë, gjurmë të së cilës janë gjetur në materialin që ishte ambalazhuar dhe pastaj ishte hedhur në koshin e plehrave. Karabinierët kanë nisur hetimet për zbardhjen e çështjes, ndërkohë të arrestuarit akuzohen për trafik droge. Në një operacion tjetër antidrogë në Peruxhia u sekuestruan 165 kilogramë hashash, të nisur drejt Italisë nga Shqipëria. Në pranga përfundoi Jovan Memaj, 27 vjeç, banues në Azisi, i rregullt me leje qëndrimi dhe Alessio Rosellini, 32 vjeç nga Pistoia. Operacioni i policisë italiane i koduar “Korrieri” kishte disa kohë që vëzhgonte shqiptarin, pasi dyshohej se i riu ishte korrier i lëndës narkotike që vinte nga Shqipëria dhe ky i fundit i kishte çuar në një garazh në Bastia Umbra. Aty Memaj mbërriti me makinë së bashku me një transportues pistojez, i cili prej kohësh vepronte si korrier me fugonin e tij, vetëm se malli ishte paksa i veçantë. Nga ky operacion policia sekuestroi 28 kilogramë marijuanë dhe pas kësaj dy të rinjtë përfunduan në polici, ku kaluan në ‘sitë’ të imtësishme për të zbuluar të dhëna të tjera. Rezultoi se dy të rinjtë frekuentonin dhe mbulonin zonat e Romagna dhe Venetos dhe gjatë kontrollit në këto zona policët zbuluan një kapanon me 137 kilogramë të tjerë marijuanë e njëjtë me paketim si ajo që iu gjet dy të rinjve. Në total sipas ekspertëve droga shkon në 165 kilogramë marijuanë dhe me vlerën e tregut kap shifrën e 1 milion e gjysmë euro, ndërsa hetimet po vijojnë për të kapur bashkëpunëtorë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›