Po, Baroneshë

Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, i janë shpaguar përpjekjet që ka investuar për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.
Baronesha Ashton ia ka arritur t’i bëjë bashkë në zyrën e saj në Bruksel Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.
Takimi i së premtes në kryeqytetin europian shënon edhe kontaktin e parë zyrtar në nivel të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.
Prishtina dhe Beogradi nga marsi i vitit 2011 ishin përfshirë në të ashtuquajturin proces teknik të dialogut të udhëhequr nga Brukseli, i cili rezultoi me nëntë raunde bisedimesh dhe me shtatë marrëveshje të arritura, shumica e të cilave ende nuk janë zbatuar.
Pas ndërprerjes së bisedimeve teknike, një përpjekje tjetër për t’i relaksuar pak raportet ishte bërë gjatë muajit korrik të këtij viti, kur bashkësia ndërkombëtare aranzhoi një shtrëngim duarsh mes Kryeministrit Thaçi dhe ish –Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, në Samitin e Dubrovnikut në Kroaci.
Ndërkohë, takimi mes dy Kryeministrave është zhvilluar vetëm një ditë pasi në Kuvendin e Kosovës është miratuar një rezoluta që i jep mundësi udhëheqësve të Kosovës për t’u futur në procesin e bisedimeve me Serbinë..
Por, nga Brukseli nuk është dërguar ndonjë fotografi e Ashton me Thaçin dhe Dacic, derisa në njoftimin për media që ka lëshuar Zyra e Baroneshës është folur për një atmosferë konstruktive gjatë takimit.
Aty është njoftuar se Përfaqësuesja e Lartë ka arritur të marrë pajtimin e dy Kryeministrave për të vazhduar procesin e bisedimeve.
Ashton ka bërë të ditur se fillimisht i ka takuar dy zyrtarët ndaras në përpjekje për të nisur dialogun.
“Pas i takova ndarazi, unë kryesova një takim të përbashkët në zyrën time i cili u zhvillua në atmosferë të mirë dhe konstruktive. Ne u pajtuam që të vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve dhe të dyja palët u shfaqën të përkushtuara për të punuar së bashku”, ka thënë zyrtarja e lartë europiane.
Veç kësaj, BE ka paralajmëruar edhe takime të tjera mes dy palëve.
“Ne do të takohemi përsëri së shpejti, unë besoj fuqishëm se dialogu është në interes të të dyja palëve. Synimi është që të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të zgjidhen problemet e po ashtu që Serbinë dhe Kosovën t’i çojmë më afër BE’së”, ka thënë Ashton.
Megjithëkëtë, Bashkimi Europian ka dështuar të tregojë se çka saktësisht do të bisedojnë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në këto bisedime që pritet të vazhdojnë.
Aty nuk është përmendur as ndonjë periudhë kohore për zhvillimin e këtij procesi.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic pas takimit ka dhënë një intervistë për mediat serbe duke riafirmuar qëndrimin e Beogradit për të hyrë në bisedime, që janë siç ka thënë ai, janë neutrale karshi statusit.
Dacic ka thënë se është e nevojshme që në këto bisedime të ketë përparime si dhe ka kërkuar që të mos ketë hapa të njëanshëm derisa të zhvillohen bisedimet.
“Jemi të gatshëm për bisedime për pozitën e popullit serb në Kosovë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, krimet e luftës, tregëtinë me organe, personat e pagjetur, pasurinë serbe dhe kthimin e refugjatëve në Kosovë dhe Metohi”, ka deklaruar Kryeministri serb.
Dacic ka përjashtuar mundësinë që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por në anën tjetër ka folur edhe për një marrëveshje historike.
Shefi i Qeverisë serbe ka zbuluar edhe detaje të bisedës që ka pasur brenda takimit me Kryeministrin e Kosovës.
“Unë i thashë Thaçit se sa është Kosova e tij, aq është edhe e imja, për shkak se unë jam i lindur në Kosovë. Kur është fjala për strukturat paralele në Kosovë unë ia rikujtova se është lehtë të flitet për strukturat paralele të serbëve në Kosovë, unë ia rikujtova se edhe ai ka qenë në krye të një strukture paralele dhe një formacioni paraushtarak siç është UÇK”, ka treguar Dacic.
Pas takimit Qeveria e Kosovës po ashtu ka lëshuar një njoftim për takimet e zhvilluara në Bruksel. Kryeministria po ashtu ka konfirmuar se dialogu do të vazhdojë.
“Takimi në mes të kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Dacic u bë me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, e cila gjithashtu ishte në takim. Takimi u zhvillua me qëllim të vazhdimit të dialogut të fasilituar nga BE-ja. Të gjitha palët në takim janë pajtuar dhe kanë shprehur përkushtimin që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të vazhdoj”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit Thaçi.
Sipas Qeverisë, synimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve dhe se do ta përshpejtojë procesin e integrimeve.
Duke komentuar takimin e parë më Dacic që dikur ishte bashkëpunëtor i Milosevicit, Thaçi ka thënë se kjo çështje nuk është personale.
“Kjo çështje nuk është personale dhe nuk prek interesat e shtetit , të politikës shtetërore të respektimit të Kushtetutës të ligjeve të rezolutës së Kuvendit të Kosovës del mbi emocionet personale të lidershipit. Ne si liderë nuk mund të udhëhiqemi nga emocionet ne të gjithë e dimë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë por duhet të punojmë mbi parimet mbi standardet mbi vlerat europianizuese dhe të ndërtojmë një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë e të mos mbesim peng i së kaluarës”, ka thënë Thaçi, pas takimit me homologun serb.
Presidenca mirëpret takimin
Presidenca e Kosovës ka mirëpritur takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Kryeministrit Ivica Dacic.
Zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu Jahjaga, ka thënë se është shumë mirë që janë takuar kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë në nivel të barabartë.
“Ky shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë”, ka thënë Vllahiu për Radio Europa e Lirë.
AAK dhe LDK heshtin
Zyrtarët e dy partive tjerë opozitare kanë heshtur pas takimit që ka zhvilluar Shefi i Qeverisë Hashim Thaçi me Ivica Dacicin.
Zyrtarët e dy partive politikë të kontaktuar për Express nuk kanë dashur të komentojnë takimin e parë të liderëve të dy shteteve.
Ndërkohë, Partia e Isa Mustafës dhe ajo e Ramush Haradinajt e kanë përkrahur idenë e PDK’së për votimin rezolutës, e cila i hapi rrugë takimeve të zyrtarëve të Kosovës me ata të Serbisë.
VV: Takim për pushtet
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj takimit Thaçi – Dacic duke thënë se Kryeministri i vendit mezi ka pritur të shkojë në një takim të tillë.
“Bashkimi Europian po ia shtron Serbisë rrugën e përshpejtuar të integrimeve nëpërmjet Qeverisë sonë të shantazhuar e të korruptuar. Serbia po e kontrollon skenën tonë politike nëpërmjet kërkesave të saj të forta ndaj Brukselit, të cilat Brukseli, në formë të tërthortë, po i kthen kah Prishtina”, ka thënë VV në njoftim.
Sipas, Lëvizjes së Albin Kurtit e ka cilësuar takimin e Thacit si mundësi të vetmen për të mbetur në pushtet.
Ndërkohë, ia kanë përkujtuar Kryeministrit Thaci se Ivica Dacic ka qenë dhe mbetet mohuesi i shtetësisë së Kosovës.
“Sot në Bruksel ndodhi takimi i mezipritur mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiçit, trashëgimtarit politik të kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviç. Ky takim u realizua vetëm 24 orë pas miratimit të rezolutës së turpshme të PDK-së dhe AAK-së, të cilës iu bashkua edhe LDK-ja, për bisedime me Serbinë pa kurrfarë kushtesh. Kjo rezolutë shpreh gatishmërinë e paskrupullt të Qeverisë Thaçi për çfarëdo takimi me Daçiçin e Nikoliçin, pavarësisht të kaluarës shekullore kriminale të Serbisë”, vazhdon njoftimi.
Mbështetje nga QUINT-i
Shtetet e QUINT-it përmes një deklarate kanë përshëndetur takimin e zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic.
Vendet që e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës kanë përkrahur vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e mirëpresin takimin e parë në mes Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë nën kryesimin e Baroneshës Ashton, ku u zotuan se do të punojnë së bashku për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy palëve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ambasada britanike në emër të QUINT’it.