E Shtunë, 31 Tetor 2026

I tërheq fjalët

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka tërhequr fjalën rrugaç për ministrat e Qeverisë. Këtë veprim e kanë mirëpritur zyrtarët e PDK’së. Hajredin Kuçi e Adem Grabovci thanë se nuk do të ndërmarrin ndonjë iniciativë për shkarkimin e Krasniqit nga postet shtetërore dhe partiake.

Sekretari i përgjithshëm i PDK’së, Jakup Krasniqi i ka tërhequr fjalët e përdorura në seancën e Kuvendit të ditës së enjte se ministrat e Qeverisë janë rrugaçë.

Kryetari i Kuvendit të premten ka deklaruar se dëshiron të tërheqë fjalën e thënë një ditë më parë se PDK është fajtore që ka emëruar Ministra rrugaçë, që nuk do të duhej të ishin pjesë e Qeverisë.

“Të nderuar deputetë, dëshiroj të tërheq fjalën time të djeshme për ministrat, pa marr parasysh se a ndryshon gjendja apo jo”, ka thënë Kryeparlamentari Krasniqi.

Por, ai nuk ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur një ditë më parë në Kuvendi e Kosovës, ku pati akuza mes Kryetarit të Kuvendit dhe Ministrit të Brendshëm për shkak të pranisë së madhe të njësive policore në objektet e Parlamentit.

Sidoqoftë, zyrtarët e PDK’së nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat e Sekretarit të Partisë dhe kanë thënë se janë të gatshëm të tejkalojnë edhe këtë situatë në mënyrë demokratike, pavarësisht se një ditë më parë Ministri Bajram Rexhepi tha se Jakup Krasniqi ka lidhur aleanca me parti të tjera.

Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Adem Grabovci ka thënë se nuk e kanë në plan ta shkarkojnë Jakup Krasniqin, porse një vendim të tillë ka paralajmëruar se mund ta marrin vetëm organet e partisë.

“Ne nuk kemi përmendur shkarkim dje as ngarkim për askënd. Për këtë vendos partia”, ka thënë Grabovci.

“Nuk e kemi menduar asnjëherë shkarkimin”, ka shtuar Grabovci, kur është pyetur për mundësinë e shkarkimit të Jakup Krasniqit.

Megjithëkëtë, Grabovci ka thënë se fjalët joparlamentare nuk kanë vend në seancat plenare.

“Do të jetë një frymë demokratike. Nganjëherë ka tejkalim dhe kemi qenë, jemi dhe do të jemi kundër fjalorit joparlamentar. Fjalët fyese, shpifjet nuk i bëjnë nder askujt në asnjë nivel”.

Ndërkohë, Zëvendësi i Hashim Thaçit, Hajredin Kuçi ka thënë se shumë shpejt temat e partisë së tij do të hiqen nga temat ditore.

“PDK ka fuqi të mjaftueshme të tejkalojë çdo mosmarrëveshje në mënyrë demokratike dhe institucionale”, ka thënë Kuçi.

I pyetur se a ka Qeveria ministra rrugaç, Kuçi e ka personalizuar përgjigjen.

“A po ju dukem juve si rrugaç?”, është përgjigjur Kuçi, duke pyetur gazetarët, të cilët kanë dhënë përgjigje mohuese.

“E, faleminderit!”, ka qenë reagimi i Zëvendëskryeministrit Kuçi.

Ai e ka arsyetuar edhe heshtjen e Kryeministrit, i cili vazhdon të mos ballafaqohet me Kryeparlamentarin. Ka thënë se Shefi i Qeverisë dhe i PDK’së po bën mirë që nuk po bëhet pjesë e debateve.

”Mirë është duke bërë. Të gjithë me gabu, i zoti i shtëpisë me gabu atë s’ka kush e përmirëson”, e ka arsyetuar Kuçi shefin e tij.

Ndryshe, zyrtarët e PDK’së kanë paralajmëruar se deri në dhjetor të këtij viti do të organizohet Kongresi i Partisë, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet partiake pas shtatë vitesh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›