Mjeku Ermal Pashaj: Reagimi i institucioneve ndaj protestave është i vonuar! Duhet t’u bashkohen dhe mjekët për paga dhe kushte dinjitoze
Në ditën e tetë të protestave studentore në Tiranë, mjeku Ermal Pashaj kritikon vonesën e reagimit të institucioneve. Sipas tij, edhe daljet publike të qeveritarëve shpesh shoqërohen me propagandë sulmi dhe me narrativa që synojnë të krijojnë një fasadë.

I ftuar në News24, Pashaj tha se kryetarët e partive kanë ndikim vendimtar në përcaktimin e kandidatëve për deputetë, duke kufizuar, sipas tij, mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre.
“Reagimi i instancave, është i vonuar dhe i gabuar. Për gabimin është një mendësi e imja, por që janë të vonuara, është fakt. Fakti që këta nuk flasin e mendojnë, nuk flasin më për ditë të tëra në media dhe, kur dalin në media, ndezin propagandën e sulmit dhe narrativën e fasadës”,- tha Pashaj.
“Njerëzit, në këto vite, kanë demonstruar se, nga viti në vit, kanë një rënie të ushtrimit të së drejtës për të zgjedhur, sepse nuk kanë mundësi zgjedhjeje. Janë kryetarët e partive ata që vendosin se kush do të jetë deputet. Nuk e kap dot qytetari deputetin. Kjo është një pamundësi e aksesit në përfaqësim dhe, sigurisht, që nuk do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme”,- shtoi ai.
Mjeku u ndal edhe te mundësia e përfshirjes së bluzave të bardha në protestë, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm për mjekët që të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me kushtet e punës dhe pagat.
“Kam ndarë në rrjetet sociale mendimin për ardhjen e bluzave të bardha në protestë. Mendoj se kanë rastin ideal për të treguar qartësisht se nuk janë njerëz që duan komoditetin e krijuar nga amullia e sistemit. Mjekët janë një grup shoqëror jashtëzakonisht i rëndësishëm, që duhet të shprehin shqetësimin e tyre, të marrin një pagë dinjitoze dhe të punojnë në kushte dinjitoze”,- tha mjeku.