E Diel, 1 Nëntor 2026

Po ndërtonte pa leje në plazhin e Semanit, arrestohet 39-vjeçari

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Një 39-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se po ndërtonte pa leje një objekt të destinuar për aktivitet bar-kafe në plazhin e Semanit.

Policia bën të ditur se arrestimi u krye në kuadër të kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik.

Gjatë kontrolleve në zonën e plazhit të Semanit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier konstatuan punime për ndërtimin e një objekti që do të përdorej për aktivitet bar-kafe.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasi J. M., 39 vjeç, banues në fshatin Gjokalli (Fier), kishte nisur punimet pa u pajisur me lejen përkatëse nga organet kompetente.

Sipas Policisë, nga veprimet hetimore dyshohet gjithashtu se 39-vjeçari kishte punësuar në mënyrë të paligjshme edhe tre shtetas të tjerë.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, i cili akuzohet për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Punësim i paligjshëm”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Policia bën të ditur se kontrollet dhe verifikimet në terren do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me fokus evidentimin e ndërtimeve pa leje dhe veprave penale kundër mjedisit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›