Po përgatitet rezoluta për Iranin

Fuqitë më të mëdha botërore janë në rrugë të mirë për t’i tejkaluar mospajtimet dhe për të përpiluar një rezolutë, përmes së cilës Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), do ta detyronte Teheranin nëpërmjet një presioni diplomatik që t’i përgjigjej frikës botërore në rritje nga programi i tij bërthamor, njoftojnë burime të paemëruar diplomatike të Perëndimit.
Faktin që gjashtë fuqitë e mëdha ndodhen para arritjes së marrëveshjes për një tekst të përbashkët Perëndimi do ta përshëndes, pasi që raporti i javës së kaluar i Kombeve të Bashkuara për Iranin shfaqi nivelin e përçarjes mes Perëndimit dhe Rusisë lidhur me çështjen e Iranit.
raporti i IAEA, i cili i dha kredibilitet akuzave të Perëndimit, po ashtu paraqiti një numër të dhënash të inteligjencës, të cilat tregojnë se Irani po mundohet të adaptojë materialin e tij bërthamor për prodhim të armatimit.
Rezoluta e propozuar do të shfaqë brengosjen OKB’së lidhur me aktivitetet bërthamore të Teheranit, dhe do të kërkojë nga Irani që të përgjigjet në pyetjet e parashtruara nga IAEA.
Dëshirojnë rezultate
Drejtori i IAEA, Yukiya Amano, duhet të shkruajë një raport të ri deri në mbledhjen e ardhshme të bordit të Agjencisë, që do të mbahet në mars të vitit 2012.
Pritet që propozim-rezoluta të dorëzohej gjatë ditës së enjte, sipas kohës lokale në New York, gjegjësisht në fillim të mbledhjes dyditore të trupit drejtues të kësaj agjencie të OKB’së, e cila përbëhet nga 35 vende anëtare.
Nëse fuqitë e mëdha do ta përkrahin këtë propozim, atëherë është pothuajse e sigurt se edhe rezoluta do të pranohet.
"Dëshirojmë të shohim rezultate, të cilat do t’i tregojnë qartë Iranit vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe brengosjen serioze lidhur me programin bërthamor të Iranit”, theksoi në Washington, zëdhënësi i State Departamentit, Mark Toner.
Megjithatë, projekt-propozimi i tekstit të rezolutës, i cili pritet të mbështetet nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermani, Rusia dhe Kina, nuk do të përmendë masat konkrete, si për shembull, denoncimi i Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.
/Nga agjencitë/