VV: Po degradohet sistemi arsimor

Afrim Kasolli, deputet dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Arsim, tha në këtë rast se kriza e ka kapluar sferën e arsimit dhe kjo, sipas tij, ka ardhur si pasojë e mosinteresimit sa duhet në këtë drejtim.
“Nuk ka dilemë se situata pa shtegdalje në të cilën është katandisur sfera e arsimit është pasojë e drejtpërdrejtë e indolencës dhe e mosinteresimit që ka demonstruar deri më tani qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Arsimit për zgjidhjen e problemeve në sferën e saj. Për më tepër, thelbin e vetë kësaj krize e përbën shpërputhja totale që ekziston ndërmjet retorikës propagandistike të kësaj qeverie dhe të fakteve reale dhe konkrete të cilat ndodhin në terren”, ka thënë ai.
Sipas tij, slogani i kamotshëm i të gjitha qeverive, edhe i kësaj aktuale se “jemi të përkushtuar për një shtet të dijes”, është fakti më real që e demanton punën e Ministrisë së Arsimit të realizuar në terren. Këtë, sipas Kasollit, e dëshmon vetë mënyra e shpërndarjes së projektbuxhetit.
Ai ka shtuar se po ashtu po të analizohen projektligjet që sponsorizohen nga Ministria e Arsimit, të cilat vijnë në Kuvendin e Kosovës, gjysma e neneve të projektligjeve të caktuara, siç është ai për veprimtarinë kërkimore-shkencore, ai për arsimin profesional, për arsimin e lartë dhe për arsimin e mesëm, të cilat janë miratuar më herët, janë të zhvendosur në dispozitat kalimtare, të cilat pohojnë se zbatimi i tyre mund të bëhet deri në vitin 2016, dhe kjo, po që krijohen kushtet financiare për zbatimin e këtij legjislacioni.
Kurse, Isa Elezaj, drejtues i Komitetit për Arsim në Vetëvendosje, ka thënë se analizat që janë bërë për fushën e arsimit në Kosovë, tregojnë se ka ngecje, si në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor.
“Analizat të cilat janë bërë sa i përket nivelit të zhvillimit të arsimit në Kosovë dhe shkencës në të gjitha nivelet, tregojnë se ka ngecje, si në aspektin sasior ashtu edhe në aspektin cilësor. Ne mendojmë se njëra prej sferave më të rëndësishme, jo vetëm që mendojmë ne, por mendon secili që ka një logjikë të shëndoshë është zhvillimi i arsimit. Ne duhet ta përgatisim qytetarin për jetën qytetare, për jetën private dhe për kompetencën profesionale”, ka thënë ai.
Elezaj ka shtuar se Vetëvendosje janë shumë të interesuar që ta bëjnë “departiatizimin” e universitetit, e jo siç është tani, ku partitë politike kanë gisht në shumë procese dhe zhvillime që ndodhin brenda UP-së.
Për më tepër, Vetëvendosje e ka shpalosur edhe koncept-idenë në lidhje sistemin e arsimit në Kosovë, në të cilin ndër të tjera parashihet edhe një sistem i unifikuar i arsimit.
Sipas kësaj koncept-ideje, cilësia në arsim mund të vijë duke ndërtuar shkolla ku ka një numër të madh të nxënësve dhe të hapen paralele të reja, subvencionimin e institucioneve private, të cilat paraprakisht duhet të jenë të licencuara.
Po ashtu, koncept-ideja për sistemin arsimor e Vetëvendosjes, ndër të tjera parasheh edhe uljen e tarifave për pagesën e semestrave për studentët në nivelin themelor dhe master, ngritjen e numrit të studentëve deri në atë masë ku do të krijohet raporti 1 mijë studentë në 100 mijë banorë, të ketë bashkëpunim të mirëfilltë me Universitetin e Tiranës, të mbështetet sa më shumë fusha kërkimore-shkencore etj./kosovapress/