Po referendumit të Metës

Nisma e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, për mbledhjen e 50 mijë firmave për referendumin kundër ndryshimeve kushtetuese, shihet si një lëvizje pozitive nga ana e deputetit të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj. Ai pranon se, nëse do të kërkohet firma e tij, atëherë ai do të jetë një ndër 50 mijë firmëtarët e referendumit të organizuar nga Ilir Meta, por tashmë kjo firmë do të ishte në statusin e tij si qytetar dhe jo si deputet. “Unë e shoh si iniciativë të mirë dhe të dobishme. Nëse më kërkohet firma, një nga 50 mijë firmëtarët do të jem edhe unë”, thotë për “Korrierin” ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. I pyetur nëse e sheh të realizueshme mbledhjen e 50 mijë firmave për referendumin, Mustafaj thotë se, “nuk e parashikoj dot nëse është e realizueshme apo jo, pasi nuk ka asnjë arsye”, megjithatë, sipas tij, kjo iniciativë është e dobishme. Vetë deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, ka qenë edhe një ndër firmëtarët e zgjedhjes së presidentit nga populli, nismë kjo që nuk iu nënshtrua votimit të deputetëve të Kuvendit. Në rast se referendumi arrin të rrëzojë ndryshimet kushtetuese të miratuara muajin e kaluar, atëherë i hapet rruga edhe propozimit për zgjedhjen e presidentit nga populli.
Ndërkohë, edhe një deputet republikan ka deklaruar ditën e djeshme qëndrimin e tij kundër ndryshimeve kushtetuese dhe do t’i bashkohet nismës së kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, duke firmosur për referendumin. Deputeti republikan, Hajrulla Paturri, ka bërë publik vendimin e tij për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të miratuara në Parlament me 115 vota. “Natën e votimit nuk kam qenë i pranishëm në Parlament, pasi do të kisha votuar kundër”, ka thënë Paturri, ndërsa ka argumentuar se nuk i pranonte ndryshimet kushtetuese të miratuara tashmë në Parlament, duke theksuar se i qëndronte akoma mendimit të zgjedhjes së presidentit nga populli.
Ndërkohë, pak ditë më parë edhe deputeti tjetër demokrat, Sali Shehu, i tha “Korrierit” se e shihte pozitivisht nismën e kreut të LSI-së, Ilir Meta, ndërsa shtoi se, nëse do t’i kërkohej firma, “do ta gjykonte”, duke mos e hedhur poshtë mundësinë e firmosjes pro. Ndërkohë, nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Ferdinant Xhaferri, e sheh si një mision të pamundur referendumin e kërkuar nga kreu i LSI-së. “Pavarësisht vullnetit dhe përkushtimit të kolegut tim Meta, po të shikosh ecurinë e deritanishme, duket pothuajse një mision i pamundur. Ndryshimet kushtetuese morën një konsensus të plotë të faktorit politik në Shqipëri, patën mbështetjen nga ata institucione që monitorojnë Shqipërinë lidhur me përmbajtjen e këtyre ndryshimeve kushtetuese”, thotë Xhaferri, ndërsa thekson se “kreu i LSI-së nuk arriti të garantonte 28 firma në Parlament”. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat thotë se e sheh si një proces të mbyllur çështjen e ndryshimeve kushtetuese. “Pavarësisht konsideratës që kam për kolegun Meta dhe dëshirën që ai ka për të marrë 50 mijë firma, është e kuptueshme që, derisa nuk arriti të merrte 28 firma në Parlament, shoh shumë pak dritë në fund të tunelit për procesin e mbledhjes së 50 mijë firmave”, deklaron deputeti demokrat Xhaferri, ndërsa shton se “Shqipëria duhet të shohë më shumë përpara, sesa mbrapa”. Ndërkohë, kërkesës për firma për organizimin e referendumit i janë përgjigjur pozitivisht që në fillim edhe disa deputetë të tjerë të djathtë, si Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli. Më të lëkundur nga “oferta” e Ilir Metës duket se kanë qenë deputetët, të cilët kanë qenë firmëtarë të nismës për zgjedhjen e presidentit nga populli. Pas heqjes nga votimi i propozimit për zgjedhjen e presidentit nga populli, një pjesë e firmëtarëve të kësaj iniciative i janë bashkuar asaj të Metës, për organizimin e referendumit, i cili synon rrëzimin e ndryshimeve kushtetuese, duke treguar kështu edhe mosqenien dakord me ndryshimet e miratuara.